Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese sërish do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk kanë arritur marrëveshje me kryeministrin Albin Kurti lidhur me kërkesat e tyre.Pjesëtarët e njësisë elitare të Policisë së Kosovës tashmë kanë dorëzuar kërkesën për protestë, e cila pritet të mbahet të shtunën e 9 dhjetorit.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, tha se janë në kontakt me ta pasi siç u shpreh ai, aktualisht nuk e di se cilat janë kërkesat e tyre.“Ata kanë paralajmëruar protestë për datën 9 dhjetor. Kërkesën e kanë adresuar në mënyrë të rregullt te organet e rendit. Jemi duke biseduar me ta sepse aktualisht nuk e di se cilat janë kërkesat e tyre”, deklaroi Zeqiri.
Ai shtoi se ka paralajmërime se kësaj proteste do t’i bashkëngjiten edhe njësi të tjera.“Ka paralajmërime, por këtë ende nuk e kam të konfirmuar. Gjithsesi, ne i përkrahim kërkesat e çdo polici dhe nëse mbahet kjo protestë ne si sindikatë do të marrim pjesë”, u shpreh mes tjerash Zeqiri./telegrafi/