spot_img

Specialja deklarohet pas miratimit të ligjit në Kuvend: Nuk jemi konsultuar apo kontaktuar

spot_img
spot_img
spot_img

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë reaguar pas miratimit të djeshëm në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një përgjigje për lajmi.net, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të përfshira në procesin e ndryshimit të ligjit dhe se nuk janë konsultuar nga institucionet e Kosovës lidhur me këto çështje.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk janë konsultuar dhe as kontaktuar lidhur me këto çështje. Për momentin, nuk kemi ndonjë koment”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga Specialja kanë theksuar se aktualisht janë të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre.

“Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të siguruar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, thuhet tutje në përgjigje.

Kjo përgjigje vjen një ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Për projektligjin votuan 88 deputetë, ndërsa miratimi i tij ishte kërkuar prej 21 ditësh nga protestuesit që u mblodhën në Prishtinë.

Çfarë parasheh ligji i miratuar?

Ndryshimet e miratuara parashohin kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, ndryshimin e periudhës kohore që mbulohet nga mandati i tyre, si dhe ndryshime në mënyrën e trajtimit të dënimeve dhe procedurave gjyqësore.

Mes ndryshimeve kryesore është ulja e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësia e apelimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe mundësia që dënimet të vuhet në institucionet korrektuese në Kosovë. Parashihet gjithashtu mundësia e faljes individuale nga Presidenti i Kosovës.

Projektligji synon po ashtu të kufizojë juridiksionin e Speciales në veprat specifike të përfshira në raportin e Këshillit të Evropës, ndërsa procedurat që konsiderohen se nuk bien në juridiksionin e saj parashihet të transferohen te institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Një prej ndryshimeve lidhet edhe me periudhën kohore të juridiksionit, e cila sipas ndryshimeve të miratuara do të fillonte më 1 korrik 1999, në vend të 1 janarit 1998.

Ligji u miratua pas 21 ditësh protestash

Miratimi i ndryshimeve erdhi pas 21 ditësh protestash të qytetarëve në Prishtinë, të cilët kërkuan ndryshimin e ligjit për Specialen. Protestat nisën pas aktgjykimeve ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së dhe vazhduan për më shumë se tri javë.

Kërkesat kryesore të protestuesve ishin kufizimi i kompetencave të Speciales, ulja e dënimit maksimal, mundësia që dënimet të vuhet në Kosovë dhe ndryshimi i procedurave të apelimit.

Në ditët e fundit të protestave pati edhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, ndërsa protestuesit kërkuan që Kuvendi ta përfundojë procesin e miratimit të ligjit.

Tash, pas miratimit në lexim të dytë, vëmendja pritet të përqendrohet te zbatimi i ndryshimeve dhe raporti i tyre me mandatin aktual të Dhomave të Specializuara, ndërsa vetë Specialja, në përgjigjen për lajmi.net, ka zgjedhur të mos komentojë për përmbajtjen e ligjit dhe është shprehur se vazhdon të fokusohet në mandatin e saj.

Seanca e jashtëzakonshme u thirr në orët e vona të 6 tetorit, pasi PDK-ja pranoi propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet që Shiroka Pula të ishte kandidate për presidente. Kjo ndodhi pas një dite të tërë pa rrugëdalje mes partive. Ndërkohë, protestat kundër ndryshimeve në ligj vazhduan edhe më 6 tetor, një ditë pasi ishte arritur deri te përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Ndryshe baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara është këmbimi i letrave i vitit 2014 mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton. Dhomat kanë selinë në Hagë, por janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro që nga themelimi.

Por, çfarë ndryshon konkretisht në ligj?

Juridiksion më i ngushtë

Një prej ndryshimeve kryesore ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Dhomat e Specializuara.

Ligji synon ta lidhë juridiksionin e tyre me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Sipas ligjit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.

Në juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, tortura dhe trajtimi mizor ose çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.

Kjo do të nënkuptonte heqjen nga juridiksioni i Speciales të krimeve të tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.

Si u krijuan Dhomat e Specializuara?

Ndryshon edhe periudha kohore

Ligji i deritashëm u jepte Dhomave të Specializuara juridiksion për krimet e pretenduara të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ligji i ri kërkon që kjo periudhë të nisë më 1 korrik 1999 dhe të përfundojë më 31 dhjetor 2000.

Pra, periudha para 1 korrikut 1999 hiqet nga juridiksioni kohor i Speciales.

Ndryshim kërkohet edhe në aspektin territorial.

Juridiksioni kufizohet në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.

Specialja ka trajtuar edhe pretendime për krime të kryera në veri të Shqipërisë.

Një protestues i mbështjellë me flamur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndron pranë selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, teksa gjykatësi shqipton aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë, Holandë, 16 shtator 2026.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me dënimet.

Ligji kërkon që dënimi maksimal që mund të shqiptohet, të jetë 15 vjet burgim.

Në dokument kjo lidhet me parimin e ligjit më të favorshëm për të dënuarin – lex mitior – sipas të cilit zbatohet ligji penal që është më i favorshëm për personin e dënuar.

Në aktgjykimin e 16 shtatorit, tre prej katër të akuzuarve morën dënime më të larta se kufiri prej 15 vjetësh që propozohet me projektligj.

Rastet jashtë juridiksionit kalojnë në Kosovë

Ligji parasheh që rastet që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më në kompetencën e Dhomave të Specializuara, të transferoheshin në sistemin e rregullt gjyqësor të Kosovës.

Bashkë me rastin do të transferoheshin edhe dosjet, provat dhe materialet përkatëse.

Trupat gjykues do të duhej ta rishqyrtonin juridiksionin për secilin rast brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit.

Në rastet ku një aktakuzë përmban akuza që hyjnë në juridiksionin e ri dhe të tjera që mbeten jashtë tij, procedura do të ndahej.

Pjesa jashtë juridiksionit do të transferohej në Kosovë.

Personat e ndaluar në rastet që transferohen, do të silleshin në Kosovë dhe, sipas ligjit, do të duhej të dilnin para një gjyqtari brenda 48 orësh, për të vendosur për masën e sigurisë sipas ligjeve vendore.

Ligji parasheh edhe mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.

Një grua mban një gazetë me portretin e gjeneralit kroat, Ante Gotovina, ku shkruan “hero”, ndërsa ndjek transmetimin e drejtpërdrejtë televiziv të aktgjykimit ndaj tij. Zagreb, 15 prill 2011.

Ndryshimet në ligj parashohin gjithashtu që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund t’i mbajnë dënimet në institucionet korrektuese të Kosovës.

Personave të dënuar me vendim të formës së prerë do t’u hapej edhe mundësia që të jenë subjekt i faljes nga presidenti i Kosovës.

Megjithatë, zbatimi i kësaj dispozite mund të ngrejë çështje juridike.

Ligji aktual për Faljen përjashton nga e drejta për të kërkuar falje personat e dënuar për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.

Çfarë ndodh me rastet që janë në proces?

Sipas shpjegimeve të PDK-së, procedurat aktuale të apelit do të vazhdonin brenda strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara.

Nëse Apeli do të urdhëronte rigjykim, atëherë do të zbatohej juridiksioni i ri.

Nëse rasti nuk do t’i plotësonte kriteret e reja, ai do të mund të transferohej në Kosovë.

Pra, miratimi i ligjit nuk nënkupton vetvetiu anulimin e aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e personave të dënuar.

Lajmi i fundit
LAJME TJERA