Keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i ministrit Arben Vitia dhe Qeverisë së Albin Kurtit i ka shkaktuar humbje prej rreth 7 milionë eurosh shtetit të Kosovës, kur për blerjen e vaksinave anti COVID-19 nuk u shpenzua granti i falur nga Bashkimi Evropian, por ato para u keqpërdorën dhe më pas qeveria u desh të futet në kredi në një bankë ndërkombëtare. Ky keqmenaxhim i pashpjegueshëm është paraqitur edhe në raportin e auditorit të brendshëm. Albanian Post ka siguruar të gjitha dokumentet për këtë rast.

Por, kjo qeveri u zëvendësua më pas dhe blerja e vaksinave me këto para të dhuruara nga BE-ja i mbeti qeverisë së re të Albin Kurtit.
Megjithatë, sipas dokumenteve që ka siguruar Albanian Post, me këto fonde s’ishin blerë vaksina, çka ka dërguar në kërkesën e Bashkimit Evropian për kthimin e 5 milionë e 367 mijë e 359 eurove.
Dokumentet tregojnë se si Ministri i Financave, Hekuran Murati, ishte detyruar nga Bashkimi Evropian ta kthejë shumën që qeveria nuk e kishte shpenzuar për blerjen e vaksinave, për çka ishin destinuar paratë fillimisht.
Por, skandali nuk përfundon këtu. Ministrisë nuk është se nuk i duheshin paratë për vaksinë, por vetëm se pakuptueshëm nuk i kishte shpenzuar.
Në anën tjetër, për të adresuar nevojat emergjente për vaksina, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kishte marrë një kredi prej rreth 7 milionë eurosh nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB).
Marrëveshja për sigurimin e grantit të BE-së ishte bërë në kohën kur ministër i Shëndetësisë ishte Armend Zemaj, ndërsa granti ishte nënshkruar nga ministria e Financave e që në atë periudhë ministër ishte Agim Krasniqi.
Zbatimi i grantit për nevojat e Kosovës në atë kohë ra nën përgjegjësinë e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili, pavarësisht situatës alarmante në vend, nuk e realizoi detyrën që i ishte besuar nga paraardhësi i tij.
Këtë gjetje e kishte zbardhur Raporti Final i Auditimit të Brendshëm, i shkruar me 6 dhjetor të 2023-së, nga Demë Rexhepi, drejtor i Njësisë së Auditorit të Brendshëm.
“Gjatë rishikimit të pasqyrave vjetore financiare për vitin 2021 dhe vitin 2022 dhe raportet mbi shpenzimet financiare nga SIMFK-2022/23 vërejmë shpenzueshmëri të vogël nga grantet e donatorëve specifikisht nga granti i BE-së”, thuhet në raport.
“Nga granti i BE-së, i cili ka qenë i dedikuar për blerjen e vaksinave për vitin 2021 janë shpenzuar 1 milion e 480 mijë e 54 euro… derisa shpenzimi total i grantit të BE-së është 1 milion e 732 mijë e 772 euro e 53 centë”, vazhdon raporti.

Kurse, siç thotë sqarimi, “nga kredia CEB për qëllimin e njëjtë për çka kemi pasur në dispozicion grantin e BE-së janë paguar brenda vitit 2021 mjete prej 6 milionë e 712 mijë e 874 euro”.
Sipas raportit të auditorit thuhet se kjo anomali ka ndodhur si pasojë e “mungesës së koordinimit, përgjegjësisë dhe kontrollit jo të duhur në menaxhimin e financave sipas marrëveshjes dhe vendimeve për ndarje të mjeteve”.
Kjo, thotë raporti, “paraqet faktor që ka ndikuar në rezultatet e pritshme, ku kemi shpenzim të vogël të mjeteve financiare, mundësia e tërheqjes së mjeteve të mbetura dhe rritje të borxhit publik përmes shpenzimeve nga kreditë për qëllimin e njëjtë”.
Si përfundim, thotë raporti, “shpenzueshmëria e mjeteve nga Kredia CEB pavarësisht prioriteteve qeveritare, sipas dokumenteve strategjike nuk është dobiprurëse në aspektin ekonomik dhe financiar kur marrim parasysh mjetet në dispozicion përvec tjerash dhe obligimin për kthim të mjeteve të grantit të BE-së në rast mos shpenzimi sipas kontratës”.

Si u desh t’i kthejë Hekuran Murati paratë e falura prapa?
Në letrën që ishte dërguar nga zyrtari i Bashkimit Evropian, Michail Papagiannis, në dhejtor të 2023-së drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve thuhej se “në përputhje me raportin përfundimtar financiar dhe kushtet e nenit 14, 17 dhe 18 të Aneksit II të kontratës së grantit të përmendur, ju lutemi vini re se Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të rikuperojë shumën prej 5,367,359.01 EUR. Financimi i parakohshëm i paguar: 7,030,070.00 EUR”.
“Shpenzimet totale sipas raportit përfundimtar financiar: 1,662,710.99 EUR. Shuma për t’u rikuperuar: 5,367,359.01 EUR”, thuhet në dokumentin që ka siguruar Albanian Post.

Sërish në janar 2024-së, dikasteri i Financave kishte pranuar edhe një letër nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Departamenti i Financave, Kontratave dhe Auditit me kërkesë të njëjtë ku thuhej se “në përputhje me raportin përfundimtar financiar dhe kushtet e nenit 14, 17 dhe 18 të Aneksit II të kontratës së grantit të përmendur, Autoriteti Kontraktues duhet të rikuperojë shumën prej 5,367,359.01 EUR”.
“Financimi i parakohshëm i paguar: 7,030,070.00 EUR”, thuhet në letrën e siguruar nga AP.

Më 27 shkurt të 2024-së, ministria e Financave pranoi një letër nga Bashkimi Evropian që tashmë një shumë e kompensimit për grantin që kishte fituar Kosova është kthyer në llogaritë e Komisionit Evropian.
Por, që edhe një pjesë tjetër kishte mbetur pa u kthyer.
“Më 26/02/2024, jemi informuar se shuma prej 5,308,363.01 euro është transferuar nga shërbimet tuaja në llogarinë e Komisionit Evropian. Për më tepër, siç mund ta dini, shuma totale e Shënimit të Debitit të përmendur më sipër është 5,367,359.01 euro”.
“Duke marrë parasysh të gjitha informacionet e mësipërme, mbetet një bilanc prej 58,996.00 euro për t’u rikuperuar”, thuhet në letrën që ishte dërguar nga BE-ja në shkurt të këtij viti.
Për gjithë këtë situatë, Albanian Post ka kontaktuar fillimisht ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Financave, Punës dhe Transfereve.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Albanian Post nuk ka sqaruar asgjë, përveç se ka thënë se “kjo kontratë dhe pagesat nga kjo marrëveshje kanë vazhduar të implementohet sipas kushteve të kontratës. Më qëllim te mirë informimit mjetet nuk janë humbje të mjeteve të grantit, por respektim i marrëveshjes”.
Në përgjigjen e MSH-së thuhej se mbi bazën e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Financave si përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian, Ministria e Shëndetësisë kishte lidhur kontratë.
E që sipas tyre, “në këtë mënyrë ka respektuar Marrëveshjen dhe kushtet e marrëveshjes”.
AP sërish ka dërguar pyetje në drejtim të MSH-së për t’i pyetur se përse nuk janë shfrytëzuar fondet për të blerë vaksina dhe përse është dashur të kthehen mbi 5 milionë euro, por që s’ka pranuar përgjigje.
Ndërsa, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, për një javë rresht pavarësisht tentimeve të mediumit që të marrë një koment lidhur me këtë çështje s’ka kthyer asnjë përgjigje.
AP ka kontaktuar edhe zyrtarin për informim të këtij dikaster, Muharrem Shahini, por që i njëjti s’ka qenë i qasshëm për t’u përgjigjur.
Meqë kontrata ishte nënshkruar në kohën kur Agim Krasniqi, ishte ministër i Financave ai në një bisedë për Albanian Post ka thënë se i ka parë dokumentet dhe të njëjtat i ka përcjellur tek Zyra për Informim – meqë tashmë është i rekrutuar në një departament tjetër në Ministrinë e Financave.
Ai ka thënë se nuk ka njohuri se çfarë kishte ndodhur tutje me procesin e grantit, veçse e ka konfirmuar se një marrëveshje e tillë ishte nënshkruar nga ana e tij.
“Ia kam sqaruar edhe zyrës tonë se unë në atë kohë kam qenë vetëm pak ditë në pozitën e ministrit, pasi ministrja kishte dhënë dorëheqje. Kjo është bërë në përputhje me marrëveshjet që kemi me institucionet ndërkombëtare dhe me kërkesat që kishin ardhur për ta nënshkruar atë marrëveshje”.
“Më pas, unë jam larguar nga pozita e ministrit. Informacionet mbi procesin që ka ndodhur më vonë duhet t’i jap ministria”, ka deklaruar Krasniqi për AP.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një përgjigje për Albanian Post, ka thënë se granti ishte pranuar në mars të vitit 2021.
Zemaj ka treguar se edhe për çfarë ishte paraparë ky grant.
“Ky ka qenë grant i Bashkimit Evropian për vendet që quhen vende të treta, që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, për blerjen e vaksinave. Çfarë ka bërë ministria e Shëndetësisë, ne nuk e dimë, pasi që atyre u ka takuar ta mbyllin kontratën dhe ne nuk kemi pasur informacione se çfarë ka ndodhur”.
Ndonëse, nga Zemaj kishte pasur këmbëngulje që ta kuptojë se çfarë kishte ndodhur me këtë grant pasi që ishte fituar në kohën kur ai ishte ministër ai s’kishte pranuar asnjë përgjigje nga Vitia.
“Çfarë kanë bërë pastaj? A i kanë blerë vaksinat me këto para, a i kanë blerë nga kredia, a i kanë blerë nga buxheti i shtetit? Asnjëherë s’na kanë treguar”, deklaroi ish ministri për Albanian Post.
Të gjitha këto ishin mundësuar që të ndodhin edhe pasi që MSH-ja kishte bërë kontratën sekret për blerje të vaksinave në kohën e COVID-19, kur mandati për ta drejtuar këtë dikaster ishte marrë nga ministri, Arben Vitia.
“Granti është siguruar dhe ishte i destinuar vetëm për vaksina; një cent nëse e kanë siguruar për ndihmë tjetër do të ishte shkelje. Por, pyetja tjetër është pse nuk i kanë vendosur këto 7 milionë, sepse ne kemi qenë përfituesit më të mëdhenj në rajon. Më e keqja është se e kanë bërë kontratën sekret për blerje vaksinash në kohën kur e ka marrë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia”.
Kosova kishte pranuar donacion për vaksinat kundër COVID-19 nga disa vende që ishin pjesë të Bashkimit Evropian.
Po ashtu, donacion kishte pranuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Gjatë pandemisë COVID-19 në Kosovë ishin raportuar mbi 4 mijë raste të vdekjeve si pasojë e virusit.
Kosova e shpalli përfundimin e pandemisë COVID-19 më 26 maj 2022, ky vendim erdhi pas një periudhe të gjatë të masave të rrepta për kontrollin e virusit, duke përfshirë mbyllje, kufizime dhe fushata vaksinimi.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë e arsyetuan këtë vendim me përmirësimin e situatës epidemiologjike dhe rritjen e numrit të personave të vaksinuar.