Ish-kryezëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit do të jetë i pari dëshmitar i mbrojtjes në Hagë: për Thaçin, UÇK-në dhe të vërtetën e luftës së Kosovës
James Rubin dhe Hashim Thaçi duke diskutuar për çmilitarizimin e UÇK-së (Qershor 1999)
1. Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli qyshse udhët jetësore të Hashim Thaçit dhe James Rubinit qenë kryqëzuar në kështjellën franceze të Rambujesë. Viti ishte 1999. Krimet serbe kishin trazuar ndërgjegjen e botës dhe po kërkohej një zgjidhje për Kosovën. Rubin e ka një rrëfim krejt të veçantë për shëtitjet dhe bisedat me Thaçin në oborret e rrethuara me mure të gurta të kështjellës franceze.
Pa kaluar gjashtë muaj, ata do të takoheshin prapë. Në Malet e Berishës, shefi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryezëdhënësi i Departamentit të Shtetit do të arrinin me helikopter. Liria ishte pak ditë larg. Të dy ata po punonin për paqen.
Vështirë ta kenë menduar atëherë që, një ditë, do të takoheshin, po në një tjetër qytet të huaj, njëri si dëshmitar dhe tjetri si i akuzuar. Në ndërmjetëzën që i lidh më shumë sesa i ndan kohët, Hashim Thaçi do të bëhej kryeministër. Do ta shpallte pavarësinë e vendit për lirinë e të cilit kishte luftuar. Do të bëhej edhe president. Dhe krejt papritur, verën e 2020-ës do të akuzohej për krime lufte, apo siç Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte vendosur ta quajë: akuzë për ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Viti është 2025. Prejse Hashim Thaçit i është hequr liria janë bërë pothuaj pesë vjet. Kanë mbetur edhe pak ditë prej kur, në Hagë, prapa mureve të larta të qendrës së paraburgimit në Sheveningen, në atë që, parë nga takimi i maleve të Berishës, do të mund të quhej rreshtim i mbrapshtë i yjeve, James Rubin do të dëshmojë të vërtetën e mikut të tij, luftëtar i lirisë, dhe të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për çlirim. Është kjo një e vërtetë e dokumentuar nga mijëra aparate fotografike, kamera dhe e shkruar me mijëra jetë që u morën e u dhanë gjithandej Kosovës.
Dëshmia e Rubinit do të jetë e para. Ish-kryezëdhënësi i diplomacisë amerikane do të flasë të hënën e 15 shtatorit. Pas tij, do të vijnë të tjerë – gjeneralë dhe ambasadorë, emisarë e guvernatorë të përkohshëm – të gjithë ata që dikur u pritëm si lajmëtarë të lirisë. Gjenerali Wesley Clark, Bernard Kouchner, William Walker, Steve Benet, Daan Everts, Michael Durkee – janë vetëm disa prej atyre që do të ulen në karrigen e dëshmitarit për të rrëfyer jo veç të vërtetën e luftës dhe çlirimit, siç e kanë parë vetë ata, por institucionet që kanë përfaqësuar.
2. Konferenca nisi më 6 shkurt. Kështjella e Rambujesë ishte zgjedhur si vend simbolik: aty ku dikur qenë pajtuar gjermanët me francezët. Gazetarët, të prirë për groteskun, kujtonin se Rambujeja dikur kishte qenë e njohur edhe për delet me lesh të butë, dhe me këtë sillnin pyetjen e tyre të pashmangshme: kush kë do ta qethte?
Tablonë e plotësonte ajo që po ndodhte brenda delegacionet u ndanë në kate të ndryshme, për t’u hequr çdo shteg takimi, qoftë edhe rastësor. Zgjedhja e një kështjelle mesjetare nënkuptonte edhe një tjetër gjë: izolimin e palëve nga bota e jashtme. Por teknologjia, e përzier me marrëzinë ballkanase, e përmbysi këtë plan. Gjithçka ndodhte brenda merrej vesh jashtë. Dhe nga jashtë tregohej çfarë nuk duhej të ndodhte brenda.
Delegacioni i Kosovës përbëhej nga 16 përfaqësues. Përfaqësues politikë e ushtarakë, përziheshin me shkrimtarë e publicistë, në një grupim njerëzish krejt të pangjashëm, të cilët mund të ndodhte që më vështirë ta kishin të merreshin vesh me njëri-tjetrin sesa me të huajt.
Ritmi i ngadaltë me të cilin po ecnin bisedimet po i bënte të paduruar dhe nervozë edhe diplomatët më gjakbutë. Lojërat e tyre diplomatike, përmes të cilave kishin shpresuar t’i frikësonin qoftë shqiptarët apo serbët, po tregoheshin të pafuqishme përballje mendjes ballkanike.
Kishte kaluar një javë kur përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, të zhgënjyer me përparimin e ngadaltë, do të takoheshin për t’u dhënë edhe një javë të dy palëve. Presidentë, ministra, ambsadorë e përfaqësues prej më të ndryshmëve shpresonin që ajo javë do të ishte e mjaftueshme për një marrëveshje. Midis tyre, zëdhënësi i Madeline Albright, sekretares amerikane të shtetit, besonte se kishte gjetur njeriun që do ta bënte.
Në kujtimet e tij, ambasadori Chris Hill tregon se James Rubin ishte afruar me Thaçin, të cilin e shihte si liderin e vërtetë të shqiptarëve. Ai rrëfen se si Jamie, siç e quan ai, qe bërë aq i afërt me Thaçin, sa i sugjeronte edhe cilën xhaketë me çfarë kravate duhej ta vishte. Nuk më kishte qëlluar asnjëherë, në krejt ato vite që kisha punuar me të huaj, që t’i tregoja ndonjërit prej tyre cilën këmishë dhe kravatë të vishte, do të shkruante ambasadori vite më pas, teksa pranonte se fundi i kishte dhënë të drejtë Jamie-t.
Thaçi kishte qenë dyshues dhe për dy ditë qe zhdukur nga konferenca. Asnjëri s’e dinte ku ishte. As kthimi i tij nuk do ta qartësonte ku kishte qenë. Që bisedat me të kishin qenë të vështira dhe pothuaj të pamundura, do të rrëfente vite më pas edhe vetë sekretarja Albirght. Vetëm pasi ajo vetë i kishte dhënë garanci që bombardimi i Serbisë do të ndodhte pasi Kosova ta pranonte marrëveshjen, dhe që referendumi pas tre vjetësh ishte po ashtu i mundur, Thaçi do të bindej. Por, nënshkrimin e marrëveshjes do të pranonte ta bënte vetëm pasi t’i bindte bashkëluftëtarët.
Mosbesimi duhet të ketë qenë aq i madh sa Rubin do ta përmendte fjalën e dhënë të Thaçit si një prej arsyeve që atë e kishin bërë të besueshëm për amerikanët. Edhe kur u desh të çmilitarizohej UÇK-ja, ai do të ishte njeriu që, bashkë me Sean Burns, një koleg i tij i njohur me Ballkanin, do të shkonte në malet e Berishës, për t’u marrë vesh me komandantët e tjerë, më shumë se ç’kishte nevojë të merrej vesh me Thaçin. Ditë më pas të dy, midis mijëra qytetarëve që festonin dhe para qindra aparatëve e kamerave që filmonin, do të ecnin rrugëve të Prishtinës.
3. Kishte kaluar pak më shumë se një dhjetëvjetësh, kur një raport i një senatori zviceran i quajtur Dick Marty, do ta akuzonte UÇK-në si organizatë që ishte marrë me trafikimin e organeve njerëzore. Akuza që dilte nga ai raport, e përbindshme po aq sa qesharake, u duk fillimisht si një ato gjëra që njeriut i shkaktojnë nervozë dhe irritim, më shumë sesa ndonjë shqetësim. Asnjë nga komandantët e luftës, të cilëve me atë raport po u vihej etiketa e “kriminelit”, nuk u morën gjatë me të. As vetë Thaçi.
Në heshtjen përçmuese të krejt shoqërisë, prokurori Clint Williamson kreu hetime, rezultatet e të cilave u i prezantoi në verën e 2014-ës. Trafikimi i organeve nuk përmendej më. Tani flitej për krime të tjera lufte. Dhe kërkohej themelimi i një gjykate që do t’i gjykonte ato. Këshillat, që më shumë ngjanin në kërcënime, ishin që atë ta themelonte Kosova, sepse po aq lehtë mund të ndodhte që të njëjtën ta bënte OKB-ja.
Një vit pas, Kuvendi Kosovës do ta votonte themelimin e një krijese të paparë gjyqësore të quajtur Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, që trupin, pra selinë do ta kishte në Hagë, por që thuhej se do të vepronte mbi bazën juridike të shtetit të Kosovës, edhe pse dhe gjykatë kushtetuese të veten do të kishte përbrenda. Na u tha edhe kush do të pagunte për të, edhe kush do t’i çonte gjyqtarët e prokurorët. Vetëm një gjë nuk na u tha asnjëherë: ku do ta kishte kokën kjo krijesë?
4. 312 dëshmitarë dhe 700 orë dëshmi të drejpërdrejta. Kaq thoshte prokuroria se kishte, kur po përgatitej të niste procesin kundër Thaçit, pasi e kishte mbajtur të paraburgosur më shumë se 800 ditë. Ngjante në një ndërmarrje të stërmadhe, që mund të zgjaste shumë-shumë vite.
Të mbrojtur e të pambrojtur. Shqiptarë, serbë dhe të tjerë. Ish-spiunë, policë e ushtarë të Serbisë. Për pothuaj dy vjet dëshmuan se si UÇK-ja na paskësh qenë një organizatë kriminale dhe se për rrjedhojë krerët e saj nuk mund të ishin veçse kriminelë ordinerë, madje.
Në ato seanca që ishin të hapura, sepse shpesh ndodhte që të ishin të mbyllura apo që të mbylleshin për publikun mu aty kur pritej të thuhej diçka, edhe Thaçi, por edhe të tjerët, e kishin të vështirë ta fshihnin habinë, mosbesimin dhe pështirosjen me ato që dëgjonin.
Tani është radha e dëshmitarëve të mbrojtjes. Gjeneralë e ambasadorë. Diplomatë e guvernatorë. Të gjallë dhe ata që të vërtetën do ta sjellin nga përtej varrit do të rrëfejnë si u çlirua Kosova. Atë që e kanë parë të gjithë. Që është shkruar një mijëra e miliona faqe. Dhe që është dokumentuar me po aq fotografi e minuta xhirimi.