Gjatë ditës së sotme ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryetares së Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në Drenas, Donika Zogu.
Ja postimi i plotë:
Sot, zyrtarisht, kam dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetares së Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) për arsye personale dhe për shkak të angazhimeve të tjera që do të kërkojnë përkushtimin tim të plotë në muajt e ardhshëm. Ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm për të vazhduar me përgjegjësitë e mia të reja.
Gjatë udhëheqjes sime, KVRL-ja ka shënuar suksese të rëndësishme që e kanë fuqizuar rininë dhe kanë hapur dyer të reja për të rinjtë e Drenasit. Për herë të parë, kemi implementuar projekte të financuara nga Bashkimi Europian, duke siguruar mbështetje dhe resurse për të rinjtë tanë. Në kuadër të Dialogut Civil, kemi arritur një sukses të madh duke organizuar shkëmbime rinore mes të rinjve të Drenasit dhe të rinjve nga Serbia, një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkulturor.
Përveç kësaj, kemi realizuar projekte të rëndësishme në bashkëpunim me Ambasaden Amerikane, Bankën Botërore dhe Ambasaden Japoneze, duke krijuar mundësi dhe hapësira të reja për zhvillim dhe përparim.
Megjithatë, më vjen keq që nuk po e lë KVRL-në në gjendjen më të mirë të mundshme për shkak të mungesës financiare nga niveli komunal për këtë vit, si pasojë e mosfunksionimit të Kuvendit Komunal. Pavarësisht këtyre sfidave, jam e bindur se KVRL-ja do të vazhdojë të punojë fort për të rinjtë tanë, falë përkushtimit dhe energjisë së anëtarëve të saj.
Në përputhje me Nenin 7, Pika 7.8 të statutit të KVRL-së, me dorëheqjen time si Kryetare, emëroj Anita Currin si Ushtruese Detyre të Kryetares deri në zgjedhjet e reja. Jam e sigurt që ajo do të vazhdojë punën me përkushtim dhe do të sjellë rezultate të shkëlqyera për rininë e Drenasit.
Këto arritje nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e palodhshëm të të gjithë partnerëve tanë dhe ekipit të KVRL-së. Jam shumë krenare për atë që kemi arritur së bashku dhe besoj se puna jonë ka krijuar një themel të fortë për të ardhmen e komunitetit tonë.
Faleminderit të gjithëve për besimin dhe mbështetjen tuaj gjatë kësaj periudhe. Së bashku, kemi treguar se kur rinia bashkohet dhe punon së bashku, mund të arrijmë çdo gjë.
Me respekt dhe mirënjohje,
Donika Zogu