Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.
Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Vajnikë të Skenderaj, ku është shoqëruar në stacion policor një person.
Pas intervistimit, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë copë fishekë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.