Ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Rinisë Demokratike të Kosovës, dega Drenas, Valmir Osmani.
Ai ka treguar se dorëheqje ka dhënë për arsye pakënaqësie.
“Arsyeja kryesore që më ka shtyrë drejt këtij vendimi është ndërhyrja e vazhdueshme e disa individëve brenda Partisë Demokratike, të cilët kanë tentuar të ndikojnë në procesin e zgjedhjeve të kryetarëve të nëndegëve dhe në të gjitha proceset e tjera të rëndësishme. Fatkeqësisht, kjo situatë ka krijuar një klimë të papranueshme brenda degës sonë dhe ka ndikuar negativisht në funksionimin demokratik të partisë”, ka thënë Osmani në postimin e tij në Facebook.
Postimi i plotë:
Te nderuar anëtarë dhe mbështetës, Rinisë Demokratike të Kosovës, dega Drenas.
Me keqardhje dhe një ndjenjë përgjegjësie të thellë, dëshiroj të ju informoj për vendimin tim për të dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Rinisë Demokratike, dega Drenas. Ky vendim është marrë pas një periudhe reflektimi të thellë dhe konsultimesh me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi më të afërt.
Arsyeja kryesore që më ka shtyrë drejt këtij vendimi është ndërhyrja e vazhdueshme e disa individëve brenda Partisë Demokratike, të cilët kanë tentuar të ndikojnë në procesin e zgjedhjeve të kryetarëve të nëndegëve dhe në të gjitha proceset e tjera të rëndësishme. Fatkeqësisht, kjo situatë ka krijuar një klimë të papranueshme brenda degës sonë dhe ka ndikuar negativisht në funksionimin demokratik të partisë.
Është e qartë se Partia Demokratike në Drenas është kapur nga disa individë të caktuar, të cilët punojnë edhe në komunë, dhe që kanë shfrytëzuar pozitat e tyre për interesat e tyre personale. Këto veprime janë në kundërshtim të plotë me parimet dhe vlerat për të cilat unë kam punuar dhe kam besuar gjithmonë.
Për këto zhvillime në rini, e përfshirë ka qenë edhe kryetarja e Rinisë në nivelin qendror, e cila vazhdimisht ka nxitur përçarje brenda strukturave të degës.
Për të mirën e qytetarëve të Drenasit dhe të rinisë tonë, nuk mund të vazhdoj të mbaj këtë post në këto kushte. Besoj se dorëheqja ime është hapi i duhur për të sinjalizuar se ndryshimi është i nevojshëm dhe për të ruajtur integritetin e Rinisë Demokratike të Kosovës.
Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë dhe shpresoj që të vazhdojnë të kontribuojnë për të ardhmen e më mirë të qytetit tonë dhe rinisë sonë.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë,
Valmir Osmani