Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 400 gramë marihuanë gjatë një operacioni në Komoran të Drenasit, ku dy persona janë dërguar në mbajtje.
Sipas Policisë, operacioni është zhvilluar më 9 tetor, rreth orës 20:20. Fillimisht, gjatë kontrollit të një veture, policia ka gjetur një cigare që dyshohet se përmbante marihuanë, me peshë 0.71 gramë.
Më pas, me urdhër të gjykatës, janë bastisur dy shtëpi. Në njërën prej tyre janë gjetur 414.5 gramë marihuanë, 15 euro, dy telefona, një peshore e vogël, një pajisje për bluarjen e marihuanës, një kamerë sigurie dhe një kartelë memorie.
Në shtëpinë tjetër nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Në lidhje me rastin, policia ka shoqëruar në stacion dy të dyshuar dhe një të mitur. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i mituri është liruar pas intervistimit dhe ndaj tij është iniciuar rast për moslajmërim të veprave penale.




