spot_img

Hapet pikëkalimi i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

spot_img

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve – duke përuruar pikëkalimin e përbashkët kufitar “Han i Elezit – Bllacë”.

Ceremonia u mbajt sot, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski.

Me këtë marrëveshje të re, qytetarët e të dy vendeve nuk do të ndalen më dy herë për kontrolle – do të bëhet vetëm një ndalesë, duke ulur ndjeshëm pritjet dhe kolonat që deri më tani shkaktonin vonesa të mëdha.

Kurti tha se kontrolli i përbashkët do të ndikojë pozitivisht në qarkullimin e lirë dhe do të fuqizojë ekonominë mes dy vendeve.

“Pritjet në kufi do të zvogëlohen, kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike dhe shkëmbimin tregtar mes nesh”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, mbi 5 milionë qytetarë kanë kaluar në tri pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut vetëm në vitin 2024, duke dëshmuar lidhjet e forta mes qytetarëve të dy vendeve.

Kontrolli i përbashkët do të bëhet edhe në pikën Glloboqicë – Jazhincë. Qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërsa të dhënat e tyre do të ndahen në kohë reale përmes një sistemi të avancuar teknologjik.

Mickoski, nga ana tjetër, tha se ky projekt e shndërron kufirin në një urë bashkëpunimi.

“Kufiri nuk duhet të jetë mur. Ai mund dhe duhet të jetë ura jonë e përbashkët që lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë. Sot kemi kaluar nga një pengesë në një simbol moderniteti dhe integrimi”, theksoi Mickoski.

Hapja e kësaj pike kufitare të përbashkët vjen si rezultat i marrëveshjeve të dakorduara gjatë takimit të përbashkët të dy qeverive në Prishtinë në nëntor të vitit të kaluar.

- Advertisement -
Lajmi i fundit
LAJME TJERA