Sot stacioni policor në Shtime është njoftuar për një rast emergjent në rrugën “Veteranët e Lirisë”, në fshatin Muzeqinë, ku një burrë i moshës rreth 72-vjeçar, kishte rënë aksidentalisht në një bunar, derisa ishte duke ujitur kopshtin në oborrin e tij.
Pas pranimit të informacionit, zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe sipas njoftimit, njëri nga zyrtarët është futur rreth 10 metra në bunar, ku ka arritur ta sigurojë personin me litar, ndërsa dy zyrtarë tjerë policor kanë bërë tërheqjen dhe kanë arritur ta nxjerrin atë të gjallë.
Personi i shpëtuar fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime për ndihmë mjekësore, ndërsa më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, për trajtim të mëtutjeshëm.
“Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale. Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve dhe falënderon ekipet emergjente të QKMF-së në Shtime dhe Qendrës Emergjente në Ferizaj për reagimin e shpejtë dhe trajtimin profesional”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv





