Ka ndërruar jetë sot në moshën 77-vjeçare mësuesi Osman Jakupi nga fshati Baks i komunës së Skenderajt.
Mesuesi Osman një jetë të tërë ia kushtoi arsimit dhe edukimit të brezave. Për katër dekada me radhë shërbeu me përkushtim, zell dhe përgjegjësi në edukimin e nxënësve, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në komunitet.
Gjatë luftës së fundit, mësuesi Osman Jakupi u arrestua dhe u burgos politikisht nga forcat okupatore serbe. Pasi serbët vranë vëllain e tij, Haxhiun, si dhe dy djemt e vëllait, Fazliun dhe Muhametin i cili ishte ende fëmijë, ata e arrestuan dhe e torturuan rëndë, duke i shkaktuar plagë fizike dhe shpirtërore.
Gjatë burgosjes, mësuesi Osman ishte i brengosur për fatin e dy djemve të tij — siç i quante me përkëdheli Meni dhe Gazi — si dhe për djemtë e vëllait, Avnin dhe Bajramin. Ai nuk kishte asnjë informacion nëse kishin shpëtuar nga sulmi barbar i forcave serbe. Dhimbjen, mallin dhe shqetësimin i shprehte përmes letrave që i dërgonte nga burgu përmes Kryqit të Kuq.
Edhe pas luftës, mësuesi Osman vazhdoi punën e tij fisnike në edukimin e brezave. Pas pensionimit, ai u përball me sëmundje të rënda, të cilat u shfaqën si pasojë e torturave dhe vuajtjeve që kishte përjetuar gjatë kohës së luftës.




