spot_img

Tre milionë euro në letër, një gropë në terren, çfarë po ndodh me QKMF-në në Drenas?

spot_img
spot_img
spot_img

Në nëntor të vitit 2024, me ceremoni zyrtare dhe me praninë e kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci, u vendos gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas. Projekti u prezantua si një investim madhor për shëndetin publik, me vlerë rreth tre milionë euro, që do t’u ofronte qytetarëve shërbime moderne mjekësore në një objekt të ri me mbi 4 mijë metra katrorë hapësirë. Sipas premtimeve të asaj kohe, punimet duhej të përfundonin dhe objekti të bëhej funksional në shtator të vitit 2025. Sot, në janar të vitit 2026, në vendin ku u premtua një qendër moderne shëndetësore, ndodhet vetëm një gropë e hapur dhe asnjë zhvillim tjetër ndërtimor.

Kontrata për ndërtimin e QKMF-së në Drenas mban vlerën 2,929,292.92 euro dhe figuron me numër prokurimi 206-23-6378-5-1-2. Megjithatë, pavarësisht nënshkrimit të kontratës dhe nisjes simbolike të punimeve, projekti ka mbetur i bllokuar që në fazat fillestare.

Ministria e Shëndetësisë, në përgjigjet për IndeksOnline, ka bërë të ditur se punimet janë pezulluar nga vetë ministria, jo për shkak të mosangazhimit të kompanisë ndërtuese, por për shkak të mangësive serioze të konstatuara në projektin ekzekutues. Sipas ministrisë, projekti është hartuar nga projektues të angazhuar nga Komuna e Drenasit, ndërsa mangësitë janë evidentuar edhe nga kompania mbikëqyrëse e kontraktuar nga MSH. Për këtë arsye, punimet janë ndërprerë deri në përmirësimin e domosdoshëm të projektit, përmirësime që sipas MSH-së ende nuk janë dorëzuar nga hartuesi i projektit.

Për të sqaruar më tej gjendjen teknike, Ministria e Shëndetësisë ka nisur procedurat për kontraktimin e një kompanie që do të kryejë ekspertizë profesionale inxhinierike për vlerësimin e projektit të QKMF-së në Drenas, me numër prokurimi 206-25-8016-2-3-6. Deri në përfundimin e kësaj ekspertize, projekti mbetet i ngrirë, ndërsa përgjegjësitë konkrete për mangësitë në projekt ende nuk janë përcaktuar përfundimisht.

Problemet me këtë projekt nuk janë të reja. Zyra Kombëtare e Auditimit kishte evidentuar më herët se prokurimi për ndërtimin e QKMF-së në Drenas ishte shoqëruar me vonesa për shkak të ndryshimeve dhe plotësimeve të shumta në projekt, deri në finalizimin e tij, si dhe për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kjo tregon se vështirësitë teknike dhe procedurale kanë ekzistuar që në fazat e hershme, shumë përpara se të hapej gropa në terren.

Një tjetër çështje që ka ngritur pikëpyetje është fakti se në procedurat e reja tenderuese janë rizgjedhur sërish operatorë ekonomikë që kishin qenë të përfshirë edhe më parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në një nga aktivitetet e ritenderuara fitues është shpallur grupi i operatorëve ekonomikë CONSTRUMAX SH.P.K., TOP PROJEKT SH.P.K., HARST Group SH.P.K. dhe EKOTERMIKA SH.P.K., kompani nga Suhareka, të cilat, sipas MSH-së kanë rezultuar ofertues të përgjegjshëm dhe kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit. Ministria sqaron se, përderisa nuk ekziston ndonjë vendim penalizues ndaj këtyre kompanive, nuk ka bazë ligjore për t’i përjashtuar ato nga garat e reja.
Nga ana tjetër, Komuna e Drenasit është shprehur për IndeksOnline se nuk ka qenë në dijeni për zhvillimin e procedurave të reja të prokurimit, pasi procesi është menaxhuar nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas komunës, ndërprerja e punimeve ka ardhur si pasojë e mangësive në projekt dhe mospërputhjeve ndërmjet kontratës, paramasës dhe projektit teknik. Komuna thekson se roli i saj në këtë projekt ka qenë i kufizuar, me një përfaqësues në ekipin menaxhues dhe me angazhime në aspektin teknik përmes ekspertëve të caktuar, ndërsa menaxhimi kryesor i projektit i takon MSH-së.
Në fund, ndërsa institucionet përmendin mangësi teknike, procedura të reja dhe përgjegjësi të ndara, qytetarët e Drenasit vazhdojnë të presin një qendër të re shëndetësore që u është premtuar prej më shumë se një viti. Një projekt me vlerë afro tre milionë euro, i nisur me ceremoni dhe deklarata optimiste, sot përfaqësohet vetëm nga një gropë në tokë dhe një proces i gjatë institucional që ende nuk ka dhënë zgjidhje konkrete./IndeksOnline/
Lajmi i fundit
LAJME TJERA