spot_img

Tragjedi në Skenderaj – 55-vjeçari gjendet pa shenja jete pasi po rregullonte një çezmë uji, në vendngjarje del edhe eksperti i rrymës

spot_img
spot_img
spot_img

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Skenderaj, ku një burrë ka humbur jetën në rrethana ende të pasqaruara, derisa, sipas dëshmitarëve, ishte duke rregulluar një çezmë uji në një shtëpi private.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se viktima është 55 vjeçar, ndërsa rasti është raportuar mbrëmjen e 28 tetorit, rreth orës 22:40.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj është kërkuar ndërhyrja e Policisë, pasi një person ishte sjellë me autoambulancë nga ekipi mjekësor, pa shenja jete.

Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij në orën 23:20.

Gjatë trajtimit të rastit, hetuesit kanë intervistuar dy dëshmitarë, të cilët kanë deklaruar se viktima kishte qenë duke rregulluar një çezmë uji në një shtëpi private.

Ajo që mbetet ende e paqartë është se çfarë ka shkaktuar vdekjen e tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në vendin e ngjarjes, përveç hetuesve policorë, është angazhuar edhe një ekspert i elektricitetit, për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të incidentit.

Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse vdekja ka ndonjë lidhje me energjinë elektrike apo me ndonjë shkak tjetër.

Me vendim të organeve kompetente, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rreth orës 02:30 është marrë nga ekipi përkatës.

Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa shkaku i saktë pritet të përcaktohet pas ekzaminimeve mjekoligjore dhe veprimeve të tjera hetimore.

Lajmi i fundit
LAJME TJERA