🗳️ THIRRJE PËR AKTIVIZËM POLITIK
📅 Zgjedhjet Lokale – 12 Tetor 2025
Të nderuar qytetarë të komunës sonë,
Të nderuar miq, bashkëqytetarë e përkrahës,
Pas shumë reflektimesh dhe bisedash me qytetarët, me bashkëpunëtorët dhe me familjen time, kam marrë vendimin që të rikandidoj për t’u rikthyer në Asamblenë Komunale të Drenasit në zgjedhjet e tetorit 2025.
Ky vendim nuk është ambicie personale, por përgjigje ndaj një nevoje të madhe që ka sot komuna jonë: nevojën për zë të pavarur, të guximshëm, të ndershëm e kritik, që mbron interesin publik dhe i mban institucionet përgjegjëse para qytetarëve.
Gjatë mandatit tim të kaluar, së bashku me shumë prej jush, kemi dëshmuar se edhe një zë i vetëm, kur është i përkushtuar e parimor, mund të sjellë ndryshime, të ndalë keqpërdorime dhe të promovojë transparencën. Kemi ngritur çështje që askush nuk i përmendte. Kemi mbrojtur interesat e qytetarëve aty ku ishte më e vështirë të bëhet zë i arsyes.
Por sot, më shumë se kurrë, Drenasi ka nevojë që këto përpjekje të mos ndërpriten. Sepse për fat të keq, tendencat për keqqeverisje, mungesën e transparencës dhe shpërdorimin e pasurisë publike janë ende të pranishme. Dhe përballë këtyre, asnjë qytetar nuk duhet të qëndrojë indiferent.
Prandaj, po garoj sërish, për t’i dhënë qytetarëve një zë të fortë në Asamble. Po garoj që së bashku ta vazhdojmë rrugën e nisur për një Drenas më të drejtë, më të hapur dhe më të përgjegjshëm.
Po garoj, sepse besoj se qeverisja e mirë nuk është privilegj, por detyrim ndaj qytetarëve.
Ftoj secilin prej jush të bëhet pjesë e kësaj përpjekjeje. Të mos lejojmë që zëri ynë të mungojë në vendimmarrje. Të angazhohemi për një Drenas ku askush nuk e ndien veten të përjashtuar, ku qeverisja i shërben qytetarit dhe ku e ardhmja ndërtohet me dinjitet.
#GREENpërDrenas