Sami Lushtaku ka pritur sot talentin e ri të sportit, Bledion Meha, i cili po e përfaqëson me sukses vendin në arenën ndërkombëtare të notit.
Lushtaku bëri të ditur se Bledioni, pjesë e Klubit të Notit “Dielli”, ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në garat ndërkombëtare të mbajtura në Dubrovnik të Kroacisë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, në garat e notit në Dubrovnik, Bledioni fitoi 4 medalje, ndërsa edhe 3 medalje të tjera i siguroi në garat e zhvilluara në Maqedoninë e Veriut, duke dëshmuar talent, disiplinë dhe përkushtim të madh në sport.
“Këto suksese janë krenari për Skenderajn dhe dëshmi se rinia jonë ka potencial të madh për të shkëlqyer kudo që garon. Sportistët tanë të rinj meritojnë mbështetje të vazhdueshme, sepse ata janë ambasadorët më të mirë të qytetit dhe shtetit tonë”, ka thënë Lushtaku.
Ai gjithashtu ka uruar Bledion Mehën, familjen e tij dhe trajnerët për arritjet e jashtëzakonshme, duke i dëshiruar suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.





