spot_img

Problemet në sistem, deklarohen nga Qeveria: S’kemi të bëjmë me serverët e as me software-in e KQZ-së

spot_img

Sistemi online i KQZ-së ku raportohen votat e numëruara dhe procedohen me përqindje, ka pasur probleme të theksuara që nga mbrëmja e 9 shkurtit. Ka pasur shumë kritika në adresë të KQZ-së dhe institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen e faqes dhe sistemit online.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, ka dalë me një reagim në profilin e tij, duke thënë se Qeveria s’ka të bëjë as me serverët e as me pjesën softuerike të KQZ-së.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik”, ka shkruar Kryeziu.

Ai tutje ka thënë se votat do të numërohen dhe se vullneti i qytetarëve s’do të tjetërsohet.

“Akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulët besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij.

Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave. Vota e gjithsecilit do të mbrohet, vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet”, ka thënë Kryeziu.

- Advertisement -
Lajmi i fundit
LAJME TJERA