spot_img

Ia qëllon me pushkë qenin që po ruante bagëtitë në Skenderaj – Policia bastis shtëpinë e fqinjit, gjen armë artizanale e 25 fishekë

spot_img
spot_img
spot_img

Një incident i pazakontë mes fqinjëve ka ndodhur në fshatin Rakinicë të Skenderajt, ku një qytetar ka denoncuar se fqinji i tij kishte shtënë me armë të gjatë në drejtim të qenit që po e shoqëronte gjatë ruajtjes së bagëtive. Denoncimi ka vënë në lëvizje Policinë, ndërsa bastisja e shtëpisë së të dyshuarit ka përfunduar me sekuestrimin e një pushke artizanale dhe 25 fishekëve.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 18 tetor, rreth orës 10:20, derisa S. D rreth 57 vjeçar ishte duke ruajtur bagëtitë e tij në fshat.

Sipas deklarimit të tij në Polici, fqinji T. D rreth 26 vjeçar dyshohet se kishte përdorur një armë të gjatë dhe kishte qëlluar në drejtim të qenit që ndodhej pranë bagëtive.

Pas denoncimit, Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit, me autorizimin e të cilit është kryer bastisja e shtëpisë së të dyshuarit.

Ajo që është gjetur gjatë kontrollit ka çuar në sekuestrimin e një arme të prodhuar në mënyrë artizanale.

Bëhet fjalë për një pushkë gjuetie pa numër serik, të kalibrit 16 mm, si dhe 25 fishekë të të njëjtit kalibër, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Pas bastisjes, T.D është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me dyshimet për përdorimin e armës.

Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Përdorim të armës së zjarrit” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pavarësisht gjetjes së armës dhe municionit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ende nuk janë bërë të ditura pasojat që mund të ketë pësuar qeni nga të shtënat, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të incidentit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lajmi i fundit
LAJME TJERA