Një patrullim rutinë i Policisë në Drenas ka rezultuar me zbulimin e një pistolete dhe një sasie të dyshuar marihuane brenda një veture të tipit Mercedes, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dy të dyshuarit janë N.H dhe A.G, të dy rreth 21 vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur më 27 nëntor, rreth orës 19:45, në parkingun përballë “Restaurant Peshkopi”, ku policët kishin vërejtur tri vetura të ndalura pranë njëra-tjetrës.
Gjatë kontrollit të Mercedesit, policët kishin gjetur një pistoletë të tipit “BLOW TR 17 D”, me karikator të zbrazët, në pronësi të N.H.
Brenda të njëjtës veturë ishte gjetur edhe një sasi prej 0.03 gramësh marihuanë të dyshuar, për të cilën A.G kishte pranuar se i përkiste atij.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj dy të rinjve janë iniciuar raste për posedim të paautorizuar të armës, përkatësisht të narkotikëve.
Të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.





