Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se pesë kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë.
Me këtë rast, në Ambasadën e Kosovës në Berlin është organizuar ceremonia e diplomimit, ku morën pjesë edhe përfaqësues ushtarakë të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Gjermanisë.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka uruar kadetët për përfundimin me sukses të studimeve, duke bërë të ditur se ata tashmë do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës.
“Urime Xheto Kelmendit për diplomimin në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nikës në logjistikë, Gentri Azemit në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmanit dhe Betim Elshanit në polici ushtarake. Pas diplomimit, ata do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës dhe do t’i shërbejnë vendit me njohuritë e përgatitjen e fituar”, ka shkruar Maqedonci.
Ministri ka bërë të ditur se deri më tani 18 kadetë të FSK-së kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake gjermane, ndërsa 16 të tjerë janë duke ndjekur studimet në akademi të ndryshme të këtij shteti.
Po ashtu, sipas tij, përmes programit “Military Training Assistance”, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Gjermani.
Maqedonci ka vlerësuar se ky bashkëpunim po ndihmon në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke falënderuar Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme.





