Konsumimi i kafesë me stomak të zbrazët mund të rrisë nivelet e kortizolit dhe të shkaktojë probleme të tretjes. Për të shmangur këto efekte, është më mirë ta konsumoni kafenë pas një mëngjesi të balancuar.
Për shumë njerëz, një filxhan kafeje në mëngjes është një ritual i pandashëm.
Edhe pse disa kanë provuar ta zëvendësojnë atë me çaj jeshil, kafeja mbetet ende pija e preferuar për energji në mëngjes.
Arsyet se përse nuk rekomandohet konsumimi i kafesë është për shkak se stimulon prodhimin e kortizolit – hormonit të stresit.
Nivelet e kortizolit janë më të larta në mëngjes kur zgjohemi, por konsumimi i kafesë me stomak të zbrazët mund t’i rrisë ato edhe më shumë, duke i shkaktuar trupit një ngarkesë shtesë stresi, raporton Vogue.
Nivelet e larta të kortizolit mund të ndikojnë edhe në humor, duke shkaktuar ankth dhe irritim. Me kalimin e kohës, një nivel i lartë i këtij hormoni mund të ndryshojë metabolizmin dhe të ndikojë në ciklet e gjumit.
Pirja e kafesë me stomak të zbrazët mund të rrisë aciditetin e stomakut. Kafeja stimulon prodhimin e acidit hidroklorik, i cili, nëse nuk balançohet me ushqim, mund të irritojë mukozën e stomakut.
Përveç kësaj, kafeina stimulon lëvizshmërinë e zorrëve, prandaj konsumimi i saj me stomak të zbrazët mund të shkaktojë fryrje dhe shqetësime në stomak.
Pirja e kafesë me stomak të zbrazët gjithashtu ndikon në nivelet e sheqerit në gjak. Kafeina shkakton një rritje të përkohshme të glukozës, e cila, pa një mëngjes të ekuilibruar, mund të pasohet nga një rënie e papritur e nivelit të sheqerit. Kjo mund të shkaktojë lodhje, ndjesi urie të fortë, irritim dhe luhatje humori.
Në disa raste, këto luhatje mund të jenë problematike për ata që vuajnë nga diabeti ose çrregullime të sheqerit në gjak.
Si ta pini kafenë në mënyrën e duhur?
Duke qenë se konsumimi i rregullt i kafesë me stomak të zbrazët mund të ketë efekte anësore të pakëndshme, është më mirë ta shijoni atë pas një mëngjesi të balancuar.
Një mëngjes i pasur me proteina, fibra dhe yndyra të shëndetshme ndihmon në mbrojtjen e stomakut dhe stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak.
Në këtë mënyrë, mund të vazhdoni ta shijoni kafenë tuaj të preferuar pa rrezikuar shëndetin.