Sot ka ndërruar jetë zjarrfikësi dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Abedin Kodra.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga zëdhënësi i zjarrfikësve, Muharrem Beka, i cili ka shprehur dhimbje dhe respekt për kolegun e ndjerë.
Abedini ishte pjesëtar i UÇK-së dhe dha kontribut të çmuar gjatë luftës për çlirimin e vendit. Pas luftës, ai vazhdoi të shërbejë me përkushtim në Shërbimin e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Skenderaj, ku u dallua si një punëtor i palodhshëm dhe shembull për kolegët e tij.
“Sot humbëm një mik, një bashkëluftëtar dhe një zjarrfikës të devotshëm. Në emër të Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kodra, bashkëluftëtarëve, kolegëve dhe gjithë atyre që patën nderin ta njohin Abedinin”, thuhet në njoftim.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, në ora 17:00, në Prekaz të Poshtëm.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Abedin Kodrën!