Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2024 ka identifikuar afro 60,000 euro keqpërdorim në 22 shkolla për subvencionim të blerjes së librave në vitin paraprak. Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit, ka pretenduar ka prindër që i kanë kthyer mjetet e subvencionimit nëse i kanë keqpërdorur.
Nagavci tha për Kallxo.com se kanë kërkuar nga auditori të dhënat e keqpërdoruesve dhe e kanë adresuar këtë çështje me përgjegjësi penale.
“Këtë vit i kemi dërgu edhe ka që i kanë kthy mjetet. Si Ministri e kemi fillu procesin. Ka individë që i kanë kthy mjetet. Nuk i di detajet se është duke vazhdu si proces”, tha Nagavci.
Në gjetjet e ZKA’së bëhet e ditur se përgjatë konfirmimeve hasën 942 raste në vlerë prej 78 mijë euro për shkollat të cilat ishin të pa identifikueshme për shkollat nga e cila është bërë aplikimi, raporton Insajderi.
“Gjatë konfirmimeve ne hasem po ashtu edhe 942 raste në vlerë 78,090€ të cilat ishin të pa identifikueshëm për shkollat nga e cila është bërë aplikimi. Sa për sqarim, këto raste ekziston mundësia që të kualifikohen individ që gabimisht kanë përzgjedhur shkollën gjatë aplikimi ose të atillë që ju takojnë katër kategorive të mësipërme”, thuhet në gjetjet e ZKA’së.
Sipas auditorit, 154 përfitues ishin jashtë shtetit të Kosovës të cilët u subvencionuan me 14,150 euro në total dhe 18 raste kishin braktisur shkollimi në vlerë prej 1,860 euro.
Nga MASHTI, ndër të tjera, kanë fajësuar komunat për mungesë bashkëpunimi me qëllim të verifikimit të përfituesve.
ZKA’ja ka kërkuar nga ministria që të forcojë kontrollet dhe mekanizmat e mbikëqyrjes për të siguruar që shpërndarja e fondeve publike të bëhet në përputhje me kriteret dhe vendimin e qeverisë.
Gjithsesi, këtë gjetje e kanë kundërshtuar ky institucion, që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci. Ata kanë thënë se MASHTI nuk ka mundur të vendosë kufizime në platformën ‘e-Kosova’, meqë ajo menaxhohet nga Agjencia për Shoqëri të Informacionit (ASHI).
“Platforma e-Kosova administrohet nga Agjencia për Shoqëri të Informuar (ASHI), në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-145. Si rrjedhojë, MASHTI nuk ka pasur kompetencë për të vendosur kufizime teknike në funksionalitetet e kësaj platforme”, thuhet në përgjigje.