Hetimet për dyshime të keqpërdorimeve gjatë numërimit të votave në Drenas kanë hyrë në një fazë të re. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur sot intervistimin e anëtarëve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht të Qendrës Komunale në Drenas.
Prokuroria në Prishtinë përmes një komunikate bën të ditur se veprimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, konkretisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, pas autorizimit të Prokurorisë dhe në kuadër të hetimeve intensive që janë në zhvillim.
Sipas Prokurorisë, intervistimet lidhen me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, çështje që ka ngritur shqetësime serioze për integritetin e procesit zgjedhor në këtë komunë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.Prokuroria Themelore në Prishtinë do ta mbajë të informuar opinionin publik lidhur me të gjitha zhvillimet e mëtejshme në këtë proces”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Insajderi/




