Tashmë kur ka përfunduar numërimi i votave, kryeministri i vendit, Albin Kurti është pyetur se kur pritet të fillojë konsultimet për krijimin e qeverisë së re.
Por, Kurti ka shmangur pyetjen e gazetarëve duke thënë se një herë “duhet të vijë certifikimi i rezultateve”.
Certifikimi i rezultateve pritet të bëhet jo më larg se 18 marsi, për t’i hapur rrugë kështu krijimit të institucioneve.
Nga rezultatet preliminare, Vetëvendosje është e para, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas votave që kanë marrë partitë, VV do t’i ketë 48 ulëse, PDK’ja 24 ulëse, LDK’ja 20 ulëse dhe AAK’ja 8 ulëse. Rrjedhimisht, asnjëra parti nuk i ka votat e nevojshme për të qeverisur e vetme. Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë. Një koalicion është i domosdoshëm.
Përveç liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, partitë tjera kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me partinë e Albin Kurtit.
Vetë Kurti, gjatë kësaj jave, tha se VV është fituese e zgjedhjeve dhe se kjo parti duhet ta bëjë qeverinë e re.
I pyetur nëse do të ketë një koalicion me partinë e Limajt, Kurti tha se s’ka qëndrime të tjera lidhur me opozitën.
“Së pari ne presim certifikimin e rezultateve dhe më pastaj do të shikojmë për rrugën përpara. S’ka ndryshuar situata që të kemi qëndrime të tjera sa i përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër qeverisë tonë por kemi dalë fitimitar, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë qeverinë”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
Deri tani ende nuk ka deklarata zyrtare për ndonjë diskutim për koalicion mes partive, ndërkohë që thirrjet për krijimin e institucioneve të reja po shtohen.