Koloneli i Policisë nga Drenasi, Agron Rukiqi, i cili aktualisht mbanë poziten e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, ka përfunduar me sukses kursin “Lidershipi Strategjik”, një trajnim ndërkombëtar i organizuar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Kursi u mbajt nën drejtimin e ligjëruesve nga Akademia e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, ndërsa një nga ligjëratat më të rëndësishme u mbajt nga vetë Komandanti i KFOR-it, duke e theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe lidershipit në fushën e sigurisë.
Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Akademia Diplomatike e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, si dhe nga strukturat e Policisë së Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatë kursit u zhvillua një shkëmbim i pasur idesh dhe përvojash që pritet të thellojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe diplomacisë.
Në përfundim të kursit, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë ndau çertifikatat për pjesëmarrësit, duke vlerësuar lart angazhimin, përkushtimin dhe nivelin profesional të treguar gjatë gjithë trajnimit.
Ky sukses i kolonel Rukiqit përbën një dëshmi të mëtejshme të përkushtimit të Policisë së Kosovës për zhvillim profesional dhe ndërtim të kapaciteteve lidershipi në nivel strategjik.