Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, u shpreh i shqetësuar me numrin e lartë të aksidenteve me fatalitet në Kosovë.
Ai për Klankosova.tv theksoi se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, 24 për qind e aksidenteve fatale janë vetaksidente.
Hoxha apeloi tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, të jenë vigjilentë dhe të respektojnë shenjat rrugore dhe ligjin.
“Në 24 orët e kaluar janë evidentuar edhe dy aksidente tjera me fatalitet dhe kjo është tepër shqetësuese pasi në të dy rastet e raportuara kemi të bëjmë me vetaksidente, ku drejtuesit e automjeteve ose kanë humbur kontrollin mbi veturën ose kanë devijuar rrugën si rezultat i pakujdesisë, ku dyshohet edhe se ka ardhur deri tek pasojat fatale”, tha Hoxha.
“Sipas analizave të aksidenteve në trafik dhe shkaktareve të tyre ne gjashtëmujorin e pare (janar-qershor-2024), rreth 24 % te aksidenteve fatale të shkaktuara në rrugët tona janë vetaksidente”, theksoi ai.
“Andaj apelojmë tek të gjithë shoferët në veçanti, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë vigjilent dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuoj në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë”, shtoi Hoxha.
“Policia e Kosovës, njësitet patrulluese të rendit dhe të trafikut, po vazhdojnë aktivitetet e shtuara në terren me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik. Vendosja dhe mbajtja e një sigurie në trafik, kërkon angazhime të gjithëmbarëshme, andaj aktivitetet policore në drejtim të respektimit të rregullave, zbatim të ligjit dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj shkelësve të ligjit në trafikun rrugor, janë të vazhdueshme”.