Kryqi i Kuq i Kosovës – dega në Drenas ka bërë thirrje për solidarizim dhe ndihmë për Familjen Akrashtica nga fshati Gllobar, e cila ka mbetur pa strehë pasi shtëpia e tyre është përfshirë nga zjarri.
Sipas njoftimit, menjëherë pas raportimit të rastit kanë intervenuar ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, njësitë komunale relevante, ekipi emergjent shëndetësor dhe Kryqi i Kuq i Kosovës – dega Drenas.
Nga Kryqi i Kuq kanë falënderuar të gjitha ekipet për reagimin e shpejtë, profesional dhe të koordinuar, ndërsa kanë bërë të ditur se për familjen e prekur janë siguruar batanije dhe ujë të pijes.
Po ashtu, është falënderuar edhe donatori “Al Trade” për mbështetjen e menjëhershme.
Kryqi i Kuq i Kosovës – dega në Drenas u ka bërë thirrje donatorëve, bizneseve dhe të gjithë qytetarëve vullnetmirë që të kontribuojnë për renovimin e shtëpisë së Familjes Akrashtica.
“Çdo kontribut është shumë i rëndësishëm. Çdo ndihmë sjell shpresë”, thuhet në thirrjen e Kryqit të Kuq.





