Elheme Elshani njihet si motra e parë medicionale në Drenas, një grua që për dekada kontribuoi ditë e natë për shëndetin e pacientëve të këtij qyteti. Në kohë të vështira, në borë e shi, ajo ishte gjithmonë pranë njerëzve që kishin nevojë për ndihmë, duke dhënë gjithçka nga rinia e saj për profesionin fisnik të mjekësisë.
Megjithatë, përkundër përkushtimit të jashtëzakonshëm, Elheme Elshani nuk mori shpërblimin dhe përkrahjen e merituar nga institucionet shëndetësore dhe komunale. Në një periudhë kur asaj i duhej një kulm mbi kokë, ajo u la në harresë nga ata që dikur u shërbeu me përkushtim.
E zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes morale dhe materiale, zonja Elheme sot jeton në Shtëpinë e të Moshuarve në Skenderaj.
Në një bisedë të sinqertë, ajo shprehet:
“Kontribova edhe përtej mundësive që pata, pa e menduar kurrë se një ditë do jem si një pemë e tharë nga mungesa e ujit.”
Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit, Elheme Elshani ruan krenarinë për kontributin e saj dhe mundohet të jetojë me dinjitet edhe sot, pranë banorëve të tjerë të shtëpisë së të moshuarve.
Historia e saj mbetet një shembull frymëzues i sakrificës, përkushtimit dhe krenarisë njerëzore.
Zoti e bekoftë motrën Elheme dhe i dhëntë jetë të gjatë e të lumtur!
Nga: Avdi Krasniqi





