Vajza nga Drenasi, Donika Zogu, ka njoftuar se ka përmbyllur angazhimin e saj si përfaqësuese e Kosovës në Bordin Drejtues të Regional Youth Cooperation Office (RYCO), për të marrë një rol të ri në institucionet e Republikës së Kosovës.
Zogu ka bërë të ditur se, me ftesë të ministrit të Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i është bashkuar kabinetit të tij si këshilltare, me synimin që përvojën dhe njohuritë e saj në fushën e rinisë t’i vërë në shërbim të zhvillimit dhe avancimit të politikave për rininë dhe sportin në Kosovë.
Ajo ka theksuar se përfaqësimi i Kosovës në RYCO ka qenë një nder i madh, pasi ky mekanizëm ka në fokus fuqizimin e të rinjve, bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e urave të besimit në Ballkanin Perëndimor.
Sipas saj, vendimi për të lënë këtë rol rajonal për të kontribuar drejtpërdrejt në institucionet e Kosovës është edhe një sakrificë personale, por njëkohësisht një mundësi për të qenë më afër proceseve që ndikojnë në zhvillimin e politikave për rininë dhe sportin.
Zogu është shprehur mirënjohëse për besimin dhe bashkëpunimin gjatë kohës së saj në RYCO, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të rinjtë e Kosovës dhe për krijimin e më shumë mundësive për gjeneratat e reja.





