spot_img

Banjska – ngritet aktakuzë kundër Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë

spot_img

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktin e akuzës kundër 45 personave kundër sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në mesin e tyre edhe për Milan Radoiçiq, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar në një konferencë për media Blerim Isufaj, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Ndaj tij, ishte lëshuar fletarrestim nga Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL).

Nuk dihet se ku ndodhet për momentin Radoiçiq, por presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha pas sulmit se ai ndodhet në “territorin e Serbisë qendrore”.

Ikja në Serbi, për të mos qenë në dispozicion të autoriteteve të Kosovës, ishte modeli i sjelljes së Radoiçiqit, kur Prishtina zyrtare, më parë, kishte lëshuar urdhërarrestim për të, sepse ai ishte i lidhur me aktivitete kriminale.

Në të kaluarën, Policia e Kosovës ka tentuar ta arrestojë Radoiçiqin dy herë, në bazë të dy fletarrestimeve të ndryshme.

Hera e parë ishte në nëntor 2018, sepse Radoiçiq dyshohej për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit.

Atëherë u arrestuan disa persona, por Radoiçiq nuk ishte në banesën e tij.

Më pas, vetë Radoiçiq iu drejtua publikut me një deklaratë, duke thënë se “ai nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit”.

Ai, po ashtu, ka thënë se “nuk do të dorëzohet në Policinë e Kosovës”.

Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës kishte lëshuar një urdhër për Radoiçiqin në vitin 2019, por ai ishte tërhequr në vitin 2021, pa asnjë shpjegim.

Lexo edhe:  Provokimi me grafite në veri, Agim Musliu: Po ndodh sikurse para sulmit të Banjskë

Në fillim të shkurtit 2022, Milan Radoiçiq arriti të shmangë arrestimin për herë të dytë, duke u arratisur nga pika kufitare Bërnjak, në veri të Kosovës.

Më pas, për Radoiçiqin është lëshuar sërish fletarrestim, i cili është ende në fuqi.

Departamenti amerikan i Thesarit e futi në listën e zezë në dhjetor 2021, për shkak të dyshimeve për krim të organizuar.

- Advertisement -
Lajmi i fundit
LAJME TJERA
x