Sot në Kosovë festohet “Dita e Veteranit”. 30 dhjetori shënon ditën e veteranit, që është menduar si një përkujtim mbi sakrificën e burrave dhe grave në luftën për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Por pse është zgjedhur 30 dhjetori si “Dita e Veteranit”?
Në fakt, ka një histori prapa kësaj date. Pra është përzgjedhur për arsye historike e simbolike. 30 dhjetori i vitit 1991 është një datë historike në përpjekjen e popullit të Kosovës për çlirim. Kjo datë e shënon sulmin e parë të ushtrisë e policisë serbe mbi familjen Jashari, të cilin sulm familja e komandantit legjendar Adem Jashari e zmbrapsenë me sukses.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka treguar se triumfi i familjes Jashari në këtë betejë shënohet si “Ditë e Veteranit”.
“Familja Jashari, që në vitet e 90-ta u ballafaqua me pushtuesin në Kosovë. Beteja e parë mes tyre dhe forcave ushtarako-policore jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991.
Triumfi i familjes Jashari në këtë betejë, shënohet si “Ditë e Veteranit”.” – shkruhet në faqen e OVL të UÇK-së.
