Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është bërë viral sot në rrjetet sociale, pas një huqje të një ekuacioni në një klasë, në inaugurimin e një shkolle në Komunën e Podujevës.
Në një ekuacion matematikor ku do të duhej të gjendej “X”, Kurti dha gabimisht numrin e përgjigjes së saktë, ku mendoi se ajo ishte “5”, përderisa numri i saktë duhej të dilte “0”.
Lidhur me këtë, Kurti ka kërkuar falje për gabimin e bërë, duke thënë se po të ishte nxënës nuk do të merrte notë kaluese.
Postimi i tij:
Kërkimfalje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”
Të dashur nxënës,
Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0.
Ju përshëndes e ju dua fort,
Albini