Ukë Krasniqi, zyrtar për IT-i në Komunën e Drenasit dhe njëherësh Kryesues i kolegjumit të zyrtarëve të teknologjisë informative të komunave të Kosovës ka ngritur një shqetësim dhe padrejtësi të madhe siç thotë ai e që iu është bërë nga niveli qendror stafit të IT-ve të Komunave të Kosovës.
“Çështjen që dua ta bëj publike nga portali i juaj është përjashtimi dhe diskriminimi që na është bërë neve nga një komision i formuar nga Qeveria e Kosovës për kategorizimin e pozitave të punës sonë sipas shtojcës 14.4 për Ekspertë të ligjit të ri të pagave Nr. 08/L-196”, ka thënë Krasniqi.
Realiteti, sipas tij tregon se profesionistët e IT-ve të Komunave edhe pse i plotësonë të gjitha kriteret e kërkuara, prapë se prapë janë përjashtuar, diskriminuar dhe fyer nga ky komision i cili sipas veprimeve të tij ka qenë krejtësisht i ndikuar duke lënë anash dhe jashtë listës së merituar të gjithë profesionistët e teknologjisë informative të komunave të Kosovës.
“Unë kam shumë fakte dhe argumente por problemi ynë është vetëm se nuk kemi arritur këtë shqetësim ta bëjmë publik, prandaj zgjodhëm mediumin tuaj nga fakti se është njëri nga mediumet më kredibile dhe më të lexuarat në vend dhe jo vetëm. Unë këtë shqetësim dhe padrejtësi e kam drejtuar edhe në KPMSHC, si përfaqësues i të gjithë profesionistëve të IT-ve të komunave – perfaqesues i 56 IT-ve, ama kam pranuar vendim skandaloz dhe të ndikuar ku haptas paneli i këshillit fsheh dhe menjanon provat tona të argumentuara që sipas nesh kjo paraqet vepër penale”, ka thënë Krasniqi.
Këtë shqetësim, në emër të IT-ve të komunave, Krasniqi e ka adresuar edhe tek avokati i popullit.