Me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, sot u miratua Rregullorja për Procedurat dhe Kriteret e Vlerësimit dhe Njohjes së Statusit dhe të Drejtave të Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, e ku ndër të tjera, personave me lëndime me pasoja të përhershme u njihet e drejta për kompensim, për kujdestar personal, si dhe kur është e aplikueshme u mbulohet shpenzimi për plagët dekubitare, në mënyrë të përhershme.
Me anë të komunikatës për media tutje theksohet se përmirësohet llogaridhënia në vlerësimet e bëra nga ana e komisioneve, përmes themelimit të ekipit profesional që do të kenë kontratë me ministrinë, për dallim nga komisionet që në të kaluarën themeloheshin aty për aty.
“Thjeshtëzohet vlerësimi, i cili tash mund të realizohet në mënyrë më të shpejtë duke evituar procedurat burokratike. Evitohen rivlerësimet të cilat shkaktonin që personat paraplegjikë e tetraplegjikë të dilnin nga skema si rrjedhojë e vonesave në rivlerësim”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se mundësohet realizimi i vlerësimit në shtëpi nga ekipet e terrenit në rastet kur personi e ka të pamundur për shkak të gjendjes së tij, të paraqitet fizikisht, madje, në rastet kur dokumentacioni mjekësor është i mjaftueshëm, personi nuk do të paraqitet fizikisht fare për vlerësim.