Gjatë ditës së sotme, është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në ndërim të Fehmi Bajraktirit.
Ky është fjalimi i plotë i Ardian Bajraktarit:
Me rastin e përvjetorit të vrasjes si dhe zbulimit të pllakës përkujtimore për Axhen Fehmi Bajraktari, mbajta këtë fjalim para të pranishmëve të nderuar:
I nderuar Kryetar z. Lladrovci, me bashkëpunëtorë;
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;
Të nderuar të pranishëm;
Ju faleminderit shumë për prezencën tuaj sot këtu.
Për neve si familje fillimi i muajit prill, i vitit 1999 ishte i rëndë, me datë 2 prill nënës ja vranë babën, tre axhallar, si dhe gruan dhe djalin e axhes, kurse me 3 prill, 25 vite më parë nga forcat serbe u vra Axha ynë Fehmi Bajraktari, shtylla dhe udhërrëfyesi i familjes.
Por për këta së paku kemi një vend ku të hedhim lule, tani përveç tek varri, edhe në vendin ku u ndamë për të fundit herë, pikërisht në këtë vend.
Dhimbja për neve nuk mbaron me kaq, nëna dhe daja që janë aty përballe meje, ende nuk dinë asgjë për fatin e tre vëllezërve dhe pesë djemve të axhes, ata janë të zhdukur, nuk kemi vend ku të hedhim lule për ta, ku ti kujtojmë ata.
Ehh, e tillë është lufta, ky është çmimi i lirisë.
Mbaj mend si sot, 25 vite më parë, ishte një ditë me mjegull, por që u bë më shumë e dendur mjegulla nga granatimet e shumta të forcave serbe.
Ai ishte pikërisht në vendin ku sot qëndron pllaka përkujtimore, me një fytyrë që i kishte rënë një nuri, mbase për shkak se i kishte momentet e fundit të jetës, por në kujtesën time është biseda e fundit që bëmë së bashku.
Ishim nisur për t’u zhvendosë në mal, unë u ktheva serish, kisha harruar një xhemper.
Pse u ktheve me tha, i thash me marrë një xhemper, e kam harru.
Ani shko merre.
Pasi e mora, mu drejtua, a po e merr shporetin?
Nuk mundem vet i thash, po nëse me ndihmon edhe ti…,heshti pak, dhe me tha, jo, ani hajt ec tij, unë vij edhe pak..
Unë u nisa, kurse ai më vonë, por nuk arriti më shumë se sa rreth 500 metra nga ky vend, ku u vra nga forcat serbe.
Të nderuar të pranishëm;
Kjo datë, për neve ngjallë ndjenja dhimbje, e veçmas vitin e kaluar, kur axha ynë pikërisht në këtë datë na u shfaq me imazhe nga zyra e prokurorit të specializuar, me pamje nga ceremonia e shënimit të 28 nëntorit të vitit 1998, në Divjakë, ku ai shihej krah me zërin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Jakup Krasniqin, si tentative e Prokurorisë për ta dëshmuar hierarkinë komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shfaqje të imazheve të tilla, e cili shënoj edhe fillimin e një procesi gjyqësor përveç se më jo transparentin, edhe me të padrejtin, madje pikërisht datën e vrasjes së tij, neve na e shtoj dhimbjen, për aq kohë sa ata që e vranë axhën tonë dhe qindra e mijëra civil të pafajshëm, ende shëtisin të lirë.
Zbulimi kësaj pllake do të jetë dëshmi për brezat se rruga jonë për liri ka qenë me shumë sakrifica, dhe se liria arriti falë gjakut të dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri.
Ju faleminderit shumë!




