“Armët e juaja, këtë mos e harroni asnjëherë, janë vazhdimësi e armëve më të pastërta në Ballkan dhe më gjerë. Armët e paraardhësve nuk u ndotën asnjëherë me gjakun e civilëve, ato shënjestruan vetëm uniformën e pushtuesve. Arma e shqiptarit, si arma më e pastër në Ballkan shkrepi vetëm në emër të mbrojtjes së kombit, vetëm në emër të lirisë”.
Kështu i’u drejtua djali i komandatit Adem Jashari, Lulzim Jashari, pjestarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ceremoninë e Manifestimit “Epopeja e UÇK-së dhe Ditët e Kazermës “Adem Jashari” që po mbahet në Prishtinë.
Ai ka thënë se shqiptarit nuk i ka munguar asnjëherë guximi por në mungesë ishte municioni.
“Arma jonë kryeore kanë qenë zemra dhe e drejta, shqiptarit nuk i ka munguar guximi por municioni. Prandaj jemi mësuar të qëllojmë cakun sepse na duhej të kursejmë plumbat”, është shprehur Jashari.
Mes të tjerash, Jashari u ka thënë këtyre pjestarëve që ata kanë një traditë të pasur, duke filluar nga luftëtarët e Skenderbeut e deri tek ushtarët e UÇK-së.
“Të dashur ushtar, ju keni një traditë të pasur dhe të pastërt, traditën e luftëtarëve të Skenderbeut, të luftëtarëve të Lidhje së Prizrenit, të luftëtarëve që shpallën Shqipërinë të pavarur, luftëtarëve të UÇK-së…duhet të jeni shumë krenar që mbani mbi supe këtë traditë”, ka shtuar ai.
Tutje, Jashari ka theksuar nëntorin dhe marsin, si dy muajt kur populli shqiptar kthehet pas për të parë traditën dhe rrjedhën e historisë shqiptare.
“Nëntori dhe marsi janë muaj kur ne më shumë se herave tjera kthehemi prapa për të parë traditën tonë, por dhe për të vlerësuar të tashm,ën dhe vlerësuar të ardhmen”, ka potencuar ndër të tjerash, Lulzim Jashari.




