Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Gratë janë viktimat më të shpeshta në këto raste, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Loxhë të Pejës, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi burri i saj e ka kërcënuar me thikë, duke i shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.
Si rezultat i denoncimit, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar i dyshuari dhe është dërguar për trajtim mjekësor, teksa mjeti i mprehtë është konfiskuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të ndalohet për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.




