Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, bashkë me stafin e tij gjatë vitit 2023, kanë shpenzuar mbi 30 mijë euro për dreka, akomodim dhe mëditje.
I pari i dikasterit të Bujqësisë, nuk ka shpenzuar asnjë cent për biletat e udhëtimeve, ku duket se ka qenë i ftuar nga vendet ku ka shkuar gjatë vitit 2023.
Kështu së paku tregon lista e shpenzimeve të ministrisë së Bujësisë e ofruar nga kabineti i Faton Pecit.
Por, të dhënat tregojnë se pikërisht për këto udhëtime, Peci për akomodim ka shpenzuar 3 mijë e 372 euro.
Ministri i Bujqësisë së Kosovës nga buxheti i shtetit ka marrë edhe 3 mijë e 641 euro të tjera si mëditje.
Derisa për drekat që ka pasur jashtë shtetit ka shpenzuar edhe 497 euro, ndërsa për ato brenda Kosovës ka paguar edhe 1 mijë e 614 euro të tjera.
Këto shpenzime tregojnë raportin me paranë e shtetit që Faton Peci e ka pasur nga janari deri në nëntor të këtij viti. Për këtë periudhe ai ka harxhuar saktësisht 9 mijë e 814 euro.
Sa shpenzuan dy zëvendësit e tij gjatë 2023-ës?
Imer Demelezi, zëvendësministri i parë i ministrisë së Bujqësisë, nuk ka shpenzuar asnjë cent për drekat dhe darkat zyrtare gjatë viti që po e lëmë pas.
Derisa, zëvendësi i dytë i Faton Pecit, Lazar Raduloviq, nga kategoria e drekave ka shpenzuar 638 euro.
Sipas legjislacionit në fuqi zyrtarëve publikë u lejohen shpenzime për dreka, darka, pije dhe dhurata për takime të ndryshme zyrtare. Ato mbulohen nga buxheti Kosovës dhe në kuadër të buxhetit kategorizohen si “shpenzime të reprezentacionit”.
Sipas udhëzimit administrative për reprezentacion janë 12 pozita në kuadër të institucioneve të Qeverisë së Kosovës që kanë të drejtë në këto shpenzime. Kryeministri dhe zëvendësit e tij/saj nuk kanë kufizime në këtë kategori shpenzimesh derisa ministrat kanë të drejtë që të shpenzojnë deri në 500 euro në muaj.
Zëvendësministrat deri në 200 euro, këshilltarët politikë deri në 100 euro, shefat e kabineteve të ministrive deri në 50 euro.
Demelezi dhe Raduloviq për mëditje dhe akomodim bashkë kanë shpenzuar 1 mijë e 761 euro.
Shpenzime për këto kategori kanë pasur edhe pjesa tjetër e kabinetit të Faton Pecit.
Nga të dhënat e siguruara nga Gazeta Sinjali përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në ministrinë e Bujqësisë – del se ai bashkë me stafin për akomodim, mëditje dhe dreka e darka zyrtare kanë shpenzuar saktësisht 30 mijë e 285 euro gjatë 2023-ës.




