Mbetje mortore me interes mjeko-ligjor janë gjetur dhe zhvarrosur gjatë gërmimeve vlerësuese të realizuara më 27 tetor në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut.
Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, gërmimet janë zhvilluar në lokacionin e njohur si “Varrezat e besimtarëve myslimanë”, në kuadër të përpjekjeve për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Aktivitetet janë realizuar me mbështetjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ndërsa në operacion kanë marrë pjesë ekipet mjeko-ligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore, përfshirë edhe ekspertët e EULEX-it.
Sipas Komisionit, gërmimet e 27 tetorit janë vazhdimësi e aktiviteteve vlerësuese të nisura më 20 tetor në të njëjtin lokacion.
Ato janë kryer në zbatim të urdhrit të gjykatës, pas kërkesës së iniciuar nga Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përmes Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte.
Mbetjet mortore të gjetura janë dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse, përfshirë analizat e ADN-së, me qëllim të përcaktimit të identitetit.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet e përfshira, do të vazhdojë trajtimin me prioritet të informacioneve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Deri në përfundimin e ekzaminimeve mjeko-ligjore, nuk është konfirmuar identiteti i mbetjeve mortore të gjetura.




