Një nënë dje ka paraqitur kushtet brenda Klinikës së Pediatrisë ku po qëndron bashkë me djalin e saj, i cili po merr trajtim mjekësor.
Ajo përmes fotove ka treguar për gjendjen brenda dhomës ku janë vendosur.
Ndërkaq, sot Aulonë Memeti, ka deklaruar se po i bëhet presion rreth statusit që e ka postuar në Facebook.
“Mbrëmë, rreth ores 23:30 me kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoje ato që kam shkruar në status. Sot, rreth orës 10:30 me kanë vizituar prap, me c’rast me është thënë se ato qe kam shkruar jane te pasakta dhe me është kërkuar edhe raport lidhur me rastin (dhe atë, me gisht drejtuar duke me thene se duhet ta shkruaj deri në ora 11:00)”, ka shkruar ajo transmeton Klankosova.tv.
“Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të. Sapo të përfundojë trajtimi, do t’i ndjek edhe procedurat përkatëse”.
“Por, ndërkohë, fotografitë janë publike. Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital. Mjafton të shihet ajo që shihet me sy. Nuk besoj se duhet të ndihem nën presion, brenda dhomës ku po kujdesem për fëmijën tim, vetëm sepse kam ushtruar të drejtën time për të folur publikisht për atë që kam parë dhe përjetuar”, ka shtuar ajo.




