Dënimi i djemve të heronjve nga Policia e Kosovës për vendosjen e simbolit të UÇK në tabela të veturës ka nxitur reagime të shumta në vend.
Gjobitja me 60 euro e djemve të heronjve Nijazi Azemi dhe Rexhep Bislimi për një veprim të tillë është vlerësuar e papranueshme. Duke e dënuar veprim e policisë janë kërkuar masa ndaj zyrtarëve policorë që kanë dënuar bijtë e heronjve.
Përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta dhe njohës të rrethanave politike në vend kanë bërë me dije një veprim i tillë i policisë tregon urrejtje ndaj vlerave të luftës.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë me dije se veprimi i policisë në këtë rast ka qenë i papranueshëm.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se UÇK-ja është dinjiteti i shqiptarëve.
“Është e pabesueshme dhe e tmerrshme se deri ku ka arritur urretja ndaj UÇK-së! Gjobë për djalin e heroit sepse mban tri shkronja të shenjta në targa? UÇK! Po i thirreni “ligjit” për të ndëshkuar krenarinë, ndërsa harroni se po ashtu, falë gjakut të babait të atij djalit dhe shokëve të tij, sot ju keni shtet, keni uniformë, keni ligje dhe keni targa për të vendosur!”, ka shkruar ai, duke e vazhduar kritiken.
“Nuk ka gjobë që fshin historinë, dhe asnjë paragraf ligjor nuk mund ta zbehë shkëlqimin e asaj kurore që na dha lirinë. Nëse ato tri shkronja ju pengojnë në targa makinash, ju kujtojmë se ato janë të gdhendura në themelet e çdo institucioni ku ju sot merrni rrogën. Ka gjëra që nuk rregullohen me gjoba e me burokraci sepse UÇK nuk është thjesht një emër, është identiteti ynë”, ka shkruar ai.
Edhe më i ashpër ka qenë kryetari i degës së OVL-UÇK-së në Viti, Idriz Quni,.
Ai ka vlerësuar se gjobitja me 60 euro djalit të heroit Nijazi Azemi dhe djalit të heroit Rexhep Bislimi për vendosjen e simbolit të UÇK-së është e papranueshme.
Ai ka kërkua shkarkimin e policit që ka dënuar ata.
“Simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përfaqësojnë shkelje apo provokim, por sakrificën, gjakun dhe luftën për lirinë e vendit tonë. Është e papranueshme dhe shqetësuese që në Kosovën e lirë të ndëshkohen qytetarët për respektin dhe krenarinë ndaj UÇK-së. Kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe shkarkimin e menjëhershëm të policit në fjalë, pasi veprime të tilla dëmtojnë besimin qytetar dhe cenojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë. Njëkohësisht, shprehim respektin tonë për Policinë e Kosovës dhe për të gjithë ata zyrtarë policorë që me nder e profesionalizëm i shërbejnë vendit, duke respektuar sakrificën e dëshmorëve dhe historinë e shtetformimit të Kosovës. Por raste të tilla nuk guxojnë të tolerohen në asnjë formë”, ka shkruar ai.
Ndaj kësaj ngjarje ka reaguar edhe analisti Arton Demhasaj.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar disa pyetje.
“Kujt po i pengon logoja e UÇK-së? Kujt po i pengojnë shkronjat e arta të historisë sonë? Kujt po i pengon simboli i atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës? Është e pakuptimtë dhe shqetësuese që dikush të përballet me dënim vetëm pse në targën e veturës ka vendosur simbolin e UÇK-së. Kjo nuk duket aspak si rastësi”, ka shkruar ai, duke shtuar se UÇK-ja është simbol i rezistencës.
“UÇK-ja nuk është vetëm një logo, por simbol i rezistencës, sakrificës dhe lirisë që e gëzojmë sot. Dhe çka ka më natyrshme sesa pranë simbolit të shtetit të Kosovës të qëndrojë edhe simboli i luftës për çlirim? Ndaluni me këtë qasje. E kemi kuptuar prej kohësh se disa nuk e duan dhe nuk do ta pranojnë kurrë UÇK-në, por nuk mund ta fshini historinë dhe sakrificën e një populli të tërë”, ka shkruar ai.





