Aktori legjendar, Chuck Norris, ka vdekur në moshën 86-vjeçare. Familja e tij ka njoftuar të premten për vdekjen e yllit, që ishte shtrirë në spital një ditë më parë.
“Me zemër të thyer familja jonë njofton për vdekjen e shpejtë të Chuck Norrisit tonë të dashur dje në mëngjes. Përderisa do të donim që gjithçka të mbetej private, ju lutem të keni parasysh se ai ishte i rrethuar me familje dhe ishte në paqe. Për botën ishte aktor dhe simbol i fuqisë. Për ne ishte burrë i devotshëm, baba dhe gjysh i dashur, vëlla i mahnitshëm dhe zemra e familjes sonë”, thuhet në njoftim të familjes në Instagram.
Debutimet i bëri në fillim të të ’80-ave me filmat “A Force of One” dhe “An Eye for an Eye”. Deri në fund të dekadës u kthye në një prej yjeve më të mëdha botërore. Shpërthimin e bëri me paraqitjen në serinë televizive “Walker, Texas Ranger”, që u dha premierë më 1993.
Norris u lind në Oklahoma më 1940.
Në një memoar të vitit 1988, Nurris kishte folur për jetën e tij. Kishte treguar se si varësia nga alkooli e babait të tij ia ndikoi fëmijërinë duke munguar për disa muaj.
Pas diplomimit në shkollë të mesme, Norris i ishte bashkuar Forcave Ajrore amerikane dhe përderisa ishte në Kore, kishte mësuar karatenë. Pas kthimit, nisi punën si trajner i karatesë.
Ka qenë edhe garues sportiv dhe ka fituar tituj më 1968. Disa prej nxënësve e kishin nxitur të futej në filma.
Pasi Norrisi e takoi Bruce Leen në një garë karateje, legjendat u bënë miq. Ai madje mori pjesë në filmin “Way of the Dragon” bashkë me Bruce Leen. Filmi ishte ndër më të mëdhenjtë në histori duke siguruar 130 milionë në arka filmike atë kohë.
E edhe pas karrierës, ai u bë viral me memet për “faktet rreth Chuck Norrisit”. Njerëzit publikonin pretendime të hiperbolizuara rreth aktorit.




