Meliza Haradinaj, këshilltare e Presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pasi ministri Nenad Rashiq tha se Kurti i kishte dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit për hatër të tij.
Haradinaj tha se kjo çështje ka të bëjë me sovranitetin e Kosovës dhe nuk bën të trajtohet si favor ndërmjet kryeministrit dhe ministrave, shkruan Insajderi.
“Në marrëveshjen e negociuar dhe pranuar nga Qeveria, referenca për “modele evropiane” nuk është as naive dhe as e paqartë. Serbia ka vite që synon modelin e Mount Athos – një territor me autonomi të veçantë brenda shtetit të Greqisë, ku një strukturë kishtare ushtron kompetenca të gjera vetëqeverisëse”, thuhet në reagimin e saj.
“Dhe ndërkohë që publikut i servohen slogane patriotike çdo ditë, realiteti del nga goja e vetë ministrave serbë të Qeverisë. Deklarata e ministrit Nenad Rashiq për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit është tronditëse: sipas tij, vendimi u bë “për hatër të tij”“, vijon reagimi i Haradinajt.
“Dhe kur vendime për tokën e Kosovës arsyetohen publikisht si “për hatër të dikujt”, maska e pseudo-patriotizmit bie vetë“, përmbyllet reagimi i saj.




