spot_img

Bedri Hamza: I bëra ofertën e fundit Albin Kurtit për presidentin, që të shmangen zgjedhjet

spot_img
spot_img
spot_img

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot ka zhvilluar takimin e dytë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri.

Ky takim është zhvilluar menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u morën qëndrime lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Hamza ka thënë se kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.

“Përgjegjësia për këtë proces është e qartë dhe e padiskutueshme: i takon partisë më të madhe dhe shumicës parlamentare që udhëheq me vendin. Ata që e kanë mandatin për të qeverisur, e kanë edhe detyrimin për ta siguruar zgjedhjen e Presidentit”, ka theksuar Hamza.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar me maturi dhe përgjegjësi.

“I kemi hequr vijat e kuqe për shkak se gjithmonë kam konsideruar se janë të dëmshme për konsolidimin e institucioneve dhe stabilitetin politik të vendit. Nuk e kemi përjashtuar asnjëherë mundësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse politike, nëse ajo do t’i shërbente shmangies së zgjedhjeve të reja dhe ruajtjes së stabilitetit të vendit. Kemi shkuar në takime për diskutimin e një presidenti konsensual”, ka thënë ai.

Kryetari i PDK-së ka thënë se e ka pranuar takimin e parë me Kurtin për çështjen e Presidentit, me bindjen e sinqertë se ekzistonte vullnet për një figurë unifikuese, për një anëtar të familjes emblematike Jashari, që do ta përfaqësonte unitetin kombëtar dhe do ta kishte mbështetjen e plotë të PDK-së.

 

Pas deklarimit publik të familjes Jashari, Hamza ka thënë se rrethanat ndryshuan.

 

“Sot, në takimin e dytë që pata me z. Kurti për këtë çështje, pas mbledhjes së kryesisë së partisë gjatë ditës, si PDK ofruam edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja: kërkuam që të zgjedhet një President i propozuar nga PDK-ja, si zgjidhje për të garantuar stabilitet institucional dhe tejkalim të ngërçit politik. Me këtë ofertë, të bërë në frymë përgjegjësie dhe për të mos e lënë vendin në krizë të panevojshme, Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është i përmbushur”, ka thënë Hamza.

Lajmi i fundit
LAJME TJERA