Policia ka realizuar disa urdhëresa aktive gjyqësore gjatë 24 orëve të fundit, duke dërguar tre persona në vuajtje të dënimit, në lokacione të ndryshme të vendit.
Burime të besueshme bëjnë të ditur për Sinjalin se më 21.02.2026 rreth orës 14:20, në Drenas është paraqitur në stacion policor B.T (42-vjeçar), ndaj të cilit kishte urdhëresë aktive për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. I njëjti është dërguar në Burgun e Dubravës, për vuajtje të dënimit prej 50 ditësh.
Po atë ditë, rreth orës 15:00, në Prishtinë, në Stacionin Policor Veriu është paraqitur edhe H.Th (55- vjeçar), i cili pas verifikimit ka rezultuar me urdhërarrest aktiv për veprën “Vjedhje e shërbimeve”. Dënimi me gjobë prej 400 euro i ishte shndërruar në 20 ditë burg, ndërsa i njëjti është dërguar në Qendrën Korrektuese në Gjilan.
Ndërkohë, në orët e hershme të mëngjesit të 22.02.2026, rreth 02:00, patrulla policore ka ndaluar në Skenderaj F.O(36-vjeçar). Gjatë verifikimit është konstatuar se ndaj tij ishte aktive urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pagesë gjobe prej 500 euro, e shndërruar në 25 ditë burgim. Ai është shoqëruar në Qendrën Korrektuese në Dubravë – Istog për vuajtje të dënimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.





