Sot ka filluar muaji i shenjtë i Ramazanit.
E me këtë rast në oborrin e xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi” në Lagjen e Spitalit në Prishtinë çdo ditë do të shërbehet ushqim falas gjatë kohës së iftarit.
Kjo është bërë e ditur nga hoxhë Labinot Maliqi, përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook.
Postimi i plotë, pa ndërhyrje:
URIME MUAJIN E BEKUAR RAMAZAN!
Me emrin e Zotit të Madhëruar dhe për hir të Tij, edhe këtë vit vazhdojmë një traditë që tashmë ka hyrë në vitin e nëntë të saj. Për të nëntin vit me radhë, do të shtrojmë iftare falas çdo ditë gjatë gjithë muajit të bekuar Ramazan, në dashtë Zoti i Lartësuar.
Iftaret do të shtrohen në oborrin e xhamisë
“Prof. Dr. Bedri Kamberi” Lagjja e Spitalit, Prishtinë.
Në sofrën tonë janë të mirëpritur studentët, familjet në nevojë dhe ato skamnore, si dhe çdo agjërues që dëshiron të ndajë iftarin me ne.
Mënyrat për të kontribuuar:
1. Duke paguar iftarin drejtpërdrejt në restorant ose gjellëtore, të cilët më pas e sjellin ushqimin në xhami
2. Duke dhuruar në arkën e xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi” – Prishtinë
3. Përmes Western Union ose mënyrave të tjera të pagesës
4. Më e rëndësishmja është që në sofrën e agjëruesve të vijë ushqimi, jo domosdoshmërisht mjeti financiar
Profeti Muhammed ka thënë: “Kush i shtron iftar një agjëruesi, do të ketë shpërblimin njësoj sikurse ai, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit”.
Allahu ju shpërbleftë për bujarinë tuaj, ju pranoftë agjërimin dhe të gjitha adhurimet.




