Gazetari dhe aktivisti Bledar Hajdari ka reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet në Drenas, duke theksuar se problemi nuk lidhet vetëm me reshjet.
Sipas tij, që prej ditës së parë ka paralajmëruar se diçka nuk është në rregull. Hajdari pohon se kolektori i ujërave atmosferike i qendrës tregtare dhe parkingut ishte mbyllur më herët me beton. Sot, sipas tij, është ndërhyrë me bager për ta thyer betonin dhe për t’i hapur dalje ujit në lumë.
Pas kësaj ndërhyrjeje ka filluar edhe rënia e nivelit të ujit nga parkingu dhe qendra tregtare. Megjithatë, ai thekson se veprimet e vonuara dhe të papërgjegjshme kanë shkaktuar dëme shtesë, të cilat sipas tij janë të dukshme edhe në fotografitë e publikuara.
Hajdari shton se me natyrën nuk mund të përballesh, por shpreh shqetësim për atë që e quan papërgjegjësi njerëzore. Ai ka publikuar edhe video nga momenti i thyerjes së betonit, duke kërkuar llogaridhënie për situatën e krijuar.




