Presidenti i Liberal International, Karl-Heinz Paqué, ka shprehur mbështetjen e tij të drejtpërdrejtë për Partinë Demokratike e Kosovës dhe kandidatin për kryeministër Bedri Hamzën përmes një videomesazhi publik.
Paqué, i cili njëkohësisht është edhe Kryetar i Bordit të Friedrich Naumann Foundation for Freedom, theksoi se Kosova ndodhet në një moment vendimtar, duke nënvizuar se mungesa e një qeverie funksionale për gati një vit i ka shkaktuar vendit humbje të konsiderueshme financiare dhe politike, përfshirë miliona euro fonde të humbura nga Bashkimi Evropian.
Sipas tij, përparimi i Kosovës dhe shfrytëzimi i potencialit të saj të plotë janë të mundshme vetëm përmes ndërtimit të marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme me partnerët evropianë.
Paqué vlerësoi PDK-në si një parti të përkushtuar dhe të pasionuar ndaj integrimit evropian të Kosovës, bazuar në takimet dhe bashkëpunimet e tij të drejtpërdrejta.
“Nisur nga kjo bindje, unë e mbështes PDK-në dhe mikun tim Bedri Hamzën, që qytetarët e këtij vendi të vogël, por të mrekullueshëm, të kenë një të ardhme të ndritur”, u shpreh Paqué, duke uruar suksese dhe fat të mirë për Kosovën.
Videomesazhi vjen si një mbështetje e rëndësishme ndërkombëtare për PDK-në dhe vizionin e saj për stabilitet politik, rikthim të besimit me partnerët evropianë dhe përshpejtim të rrugës integruese të Kosovës.






