Kandidati i PDK-së për deputet, Eman Rrahmani, ka prezantuar publikisht Shqipe Krasniqin si pjesë të listës zgjedhore të partisë, ku ajo mban numrin 46. Në njoftimin e tij, Rrahmani ka vënë theksin te trashëgimia familjare e Krasniqit, duke e cilësuar atë si përfaqësuese të një familjeje që ka dhënë kontribut të veçantë në luftën për liri.
Sipas Rrahmanit, Shqipe Krasniqi është rritur në një ambient të atdhedashurisë dhe sakrificës, duke qenë motra e Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, e njohur si një prej figurave simbol të guximit dhe rezistencës gjatë luftës. Ai ka theksuar po ashtu rolin e babait të saj, Avdyl Krasniqi, të cilin e ka përshkruar si një atdhetar të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare.
Në prezantimin e tij, Rrahmani ka deklaruar se biografia e Shqipe Krasniqit përfaqëson jo vetëm histori familjare, por edhe përgjegjësi dhe amanet që ajo e mban me nder. Po ashtu, ai ka shtuar se kandidatja vjen nga një familje me traditë të dijes, sakrificës dhe vlerave kombëtare, ndërsa synon të përfaqësojë zërin e profesionistëve dhe të atyre që besojnë në vazhdimësinë e vlerave të luftës.
Shqipe Krasniqi është prezantuar nga PDK si një nga kandidatët që synojnë të kontribuojnë me angazhim dhe përvojë në procesin zgjedhor dhe në punën e ardhshme parlamentare.




