Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj një fotografie të publikuar nga ish-ministrja Albulena Haxhiu, duke e akuzuar atë se ka barazuar deputetët shqiptarë me deputetët serbë me qëllim, siç thotë ai, “t’i njollosë të gjithë”.
Në reagimin e tij, Krasniqi thotë se në rreshtin ku ai ndodhet në Kuvend janë deputetë që kanë pësuar drejtpërdrejt nga krimet e ushtrisë serbe gjatë luftës, si dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në rreshtin tim, pranë meje është deputeti Fadil Demaku, të cilit gjatë luftës kundër ushtrisë serbe iu vranë vëllai dhe motra. Është Përparim Gruda, të cilit iu vra babai. Po ashtu janë deputetë që janë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit.”
Krasniqi thekson se edhe ai vetë është bir i një familjeje të përndjekur nga Serbia.
“Ndër ta jam edhe unë, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, njeriut që gjithë jetën e tij është përndjekur nga regjimi fashist i Serbisë dhe që tash e pesë vite qëndron ballëlartë në bankën e të akuzuarve, pikërisht përballë akuzave të fabrikuara nga Serbia.”
Ai akuzon ish-ministren Haxhiu se përpiqet të hedhë njollë ndaj deputetëve shqiptarë për shkak të dështimeve të saj politike.
“Askush nuk është i detyruar t’ju shpëtojë nga dështimet e juaja politike e personale. Por, me bindje të plotë, them se veprimet e juaja publike e tinëzare janë shumëfish më të koordinuara me politikat fashiste të Serbisë sesa çfarëdo vote kundër kësaj qeverie.”






